Ditën e sotme ministrja e Shëndetësisë dhe ambasadori Italian në Shqipëri, alberto Kutillo morën pjesë në inagurimin e impiantit të ri të energjisë alternative në Lezhe, që plotëson nevojat e spitalit në këtë qytet.
Ky është i pari institucion publik në Shqipëri që tashmë funksion me energji të rinovueshme.
Nga Lezha, Manastirliu bëri thirrje për mjekët të aplikojnë në portalin “Mjekë për Shqipërinë”, ku theksoi se aplikimet e para për 191 vende pune mbyllen me 15 Qershor.
“Është jo vetëm një investim që kursen energjinë elektrike por impiantet voltaike janë një formë energjie e pastër, e cila nuk është e dëmshme për mjedisin”, tha Manastirliu.
Projekti është realizuar nga Universiteti Politeknik i Milanos dhe është mbështetur nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim dhe qeveria italiane.
“Besojmë se projekte të tilla do të zhvillohen dhe zgjerohen edhe në të ardhmen dhe qeveria shqiptare do të ketë mbështetjen tonë”, u shpreh ambasadori italian në Shqipëri, z. Alberto Cutillo.
Sistemi novativ i energjisë me panele voltaike është një investim prej 150 mijë euro që mundëson mbulimin e të gjithë spitalit të Lezhës me energji alternative, duke kursyer rreth 50 milion lekë në vit nga buxheti i spitalit të Lezhës, të cilat do të përdoren për më shumë barna dhe materiale mjekësore në shërbim të qytetarëve.
Ministrja Manastirliu në fjalën e saj u ndal edhe tek investimi që pritet të fillojë së shpejti për ndërtimin e maternitetit të ri të Lezhës, me vlerë 350 milion lekë.
Nga Lezha, Manastirliu bëri dhe një apel për mjekët që duan t’i bashkohen sistemit publik, të aplikojnë për pozicionet e lira brenda datës 15 Qershor.
Në portalin mjeke.shendetesia.gov.al çdo mjek i licensuar mund të zgjedhë vendet që preferon nga vendet vakante, të ngarkojë dokumentet e kërkuara dhe brenda datës 15 qershor, me mbylljen e aplikimeve të para, do të vlerësohen dosjet e gjithsecilit, për të vijuar më pas me fazën e dytë të vlerësimit me intervistë.
Janë 112 vende vakante për mjekë të përgjithshëm dhe specialistë në kujdesin shëndetësor parësor dhe 79 vende të lira për mjekë në spitale në platformën “Mjekë për Shqipërinë”, të shpallur dje nga Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja Manastirliu në një takim me mjekë të rinj dhe studentë të Universitetit të Mjekësisë.