Maratona e Tiranës/ Ja rrugët ku nuk mund të kaloni nesër

6 Tetor 2018, 19:34

Ditën e diel, në 7 Tetor, ora 9.00, kryeqyteti do të presë Edicionin e 3-të të Maratonës së Tiranës, ku 5 mijë garues nga më shumë se 40 vende të botës do të garojnë për tre kategori të ndryshme. Por, ndryshe nga dy edicionet e kaluara, maratona e këtij viti do të përshkojë edhe disa nga pikat më tërheqëse dhe panoramike të Tiranës, siç është pjesa përreth Liqenit Artificial.

Me qëllim organizimin dhe mbarëvajtjen e aktivitetit më të madh sportiv që zhvillohet në vendin tonë, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka hartuar një plan masash për organizimin e lëvizjes së automjeteve gjatë zhvillimit të maratonës.

Bashkia e Tiranës informon qytetarët për kufizimin e qarkullimit të automjeteve në disa segmente rrugore, ku do kalojë Maratona e Tiranës. Ditën e Shtunë, për shkak të zhvillimit të garës për fëmijë “Fun Run”, kufizohet qarkullimi në sheshin “Nënë Tereza”, duke vijuar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, rrugën “Murat Toptani”, rrugën “Myslym Shyri”, segmentin midis rrugës “Ibrahim Rugova” dhe Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, nga ora 08:00 deri në orën 12:00 të datës 06 Tetor 2018.

Qarkullimi i automjeteve, mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit që preket nga ky kufizim do të bëhet në rrugët “Lek Dukagjini”, “Ibrahim Rugova”, “Abdyl Frashëri” dhe “Papa Gjon Pali II”. Ndërsa, intinerari i lëvizjes së mjeteve të transportit publik do të devijojë nga rruga “Abdyl Frashëri” për në rrugën “Ibrahim Rugova”; Bulevardi “Zhan D’Ark” dhe Bulevardi “Bajram Curri” do të devijohen tek ura e “Drejtorisë së Policisë” dhe tek ura e “Rruga e Elbasanit”.