Marrëveshja Kosovë-Serbi/ Hashim Thaçi dekoron me ‘Urdhërin e Lirisë’ presidentin Donald Trump

18 Shtator 2020, 18:53

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të premten se i ka ndarë urdhrin më të lartë shtetëror – Urdhrin e Lirisë –presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij për lirinë e Kosovës, forcimin e paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon.

Në një videomesazh dhe komunikate për medie të zyrës së presidentit Thaçi, thuhet se në një letër dërguar presidentit Trump, ka deklaruar “se marrëveshja për normalizimin ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk do të ishte e mundur pa udhëheqjen e fuqishme të tij dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Kjo marrëveshje është përparim i rëndësisë së jashtëzakonshme për përmbylljen e konfliktit shekullor mes popujve tanë. Pas dekadash bllokade dhe stagnimi në negociata, falë udhëheqjes tuaj të guximshme e arritëm këtë marrëveshje historike. Populli i Kosovës mbetet përjetësisht mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës – shpëtimtares sonë që në ditët tona më të errëta na qëndroi pranë dhe vazhdon edhe sot”, thuhet mes tjerash në letër.

Presidenti Thaçi e siguron me ketë rast presidentin amerikan se “Kosova mbetet e përkushtuar ndaj paqes së qëndrueshme dhe prosperitetit afatgjatë në Ballkanin Perëndimor. Kemi punuar shumë në këto vite dhe jemi të përgatitur të japim kontributin tonë për paqe dhe siguri në botë. Po ashtu, jemi të palëkundur në përkushtimin tonë për arritjen e një marrëveshjeje që zgjidhë të gjitha çështjet e hapura dhe sjell njohjen e ndërsjellët në mes të Kosovës dhe Serbisë”.