Marrin fund vitet e pritjes, Tirana thyen Partizanin në derbi! Stadiumi i ri vishet bardheblu

13 Dhjetor 2019, 23:01

Pritjes i erdhi fundi pas rreth gjashtë vitesh. Tirana ka fituar derbin e 156 të kryeqytetit përballë kampionëve të Partizanit me rezultatin 1-2 në stadiumin e ri kombëtar që u inaugurua në nëntor përballë Francës, ndërsa kjo ishte ndeshja e parë e kampionatit. Tirana nuk arrinte që të fitonte përballë Partizanit që prej 10 shkurtit të vitit 2014, por sonte e kishte radhën ekipi 24 herë kampion i vendit për të festuar.

Përballë 20 mijë tifozëve, Tirana e nisi mjaft mirë ndeshjen duke shënuar në minutën e tetë me Bathën, por festa bardheblu zgjati vetëm një minutë, pasi barazoi Bardhi për demat e kuq me një gol të dyshimtë. Pjesa e parë u mbyll në barazpeshë, por ashtu edhe koha e rregullt e fraksionit të dytë. Kur të gjithë po mendonin se sfida do të mbyllej në paqe, Tirana nuk e kishte thënë ende fjalën e fundit duke shënuar në minutën e parë të kohës shtesë me mesfushorin Kobina duke ngritur stadiumin peshë. Festa është e gjitha bardheblu pas rreth gjashtë vitesh.

Derbi ka ngrënë shumë koka trajnerësh te Tirana, ndërsa fatin për të festuar e kishte Egbo, që u emërua si i përkohshëm, por pas kësaj fitoreje Presidenti Halili mund të ndryshojë mendje dhe në fakt e meriton. Fitorja e ngjit Tiranën në vendin e pestë me 22 pikë, ndërsa Partizani është në vendin e parë, me një pikë më shumë se Kukësi, por verilindorët kanë një ndeshje më pak. Në mbrëmjen e sotme nuk zhgënjyen as tifozët, që dhuruan spektakël dhe emocione në shkallët e stadiumit, por edhe mesazhe prekëse për viktimat e tërmetit tragjik të 26 Nëntorit.