Marsela Çibukaj rrëfen eksperiencën si prezantuese në Bunk’art1: Si mund të mos kujtoja familjen time nëpërmjet Festivalit të XI-të?!

31 Dhjetor 2019, 15:45

Këngëtarja Marsela Cibukaj ka qenë e ftuara e përzgjedhur për të përmbyllur vitin 2019 në “Rreze Dielli” e cila së bashku me aktorin Bujar Kapexhiu i dhanë një rëndësi të veçantë puntatës së fundit për këtë vit.

Ka qenë një vit i suksseshëm ky për Marsela Cibukaj, e cila solli një nga këngët e dashurisë më të pëlqyera për publikun shqiptar “Thërrime dashurie” dhe madje një transformim në pamjen e saj fizike e bëri atë të ishte burim frymëzimi për shumë vajza të cilat vuajnë nga kilogramët e tepërt.

Megjithatë një nga ngjarjet që shenjoi këtë vit për Marsela Çibukaj ka qenë eksperienca e saj si prezantuese e Festivalit të 11 të Këngës të rikthyer pas 47 vitesh në Bunk’Art1. Ajo thotë se ndihet vërtetë e nderuar që prezantoi në krah të artistin Bujar Kapexhiu, dhe shton se këtë eksperiencë e lidh ngushtë edhe me familjen e saj.

E pranova si rol, pavarësisht se nuk jam prezantuese, pasi janë disa arsye. E para kam dëshirë të njoh historinë më mirë, qoftë edhe si këngëtare, kjo edhe për të vlerësuar lirinë që kemi. Kujtime e spektakle të tilla i shërbejnë edhe brezit më të ri, për t’i edukuar drejt një muzike që është e vështirë të shkruhet. E përbashkëta ime me Edi Luarasin është dashuria me të cilën u përballua si impenjim prezantimi. Dashuria që unë solla në këtë projekt ishte e lidhur edhe me një arsye të tretë. Unë si projekt ia dedikova gjyshit tim. Nga ana e nënës time ne vijmë nga një familje e përndjekur. Për një fjalë të thënë gabim, u burgos dhe iu morën vitet më të bukura të rinisë, i cili la pas gruan me 7 fëmijë. Dhe si mund të mos kujtoja familjen time nëpërmjet këtij festivali.” shprehet në “Rreze Dielli” këngëtarja.