Masat e Bankës së Shqipërisë frenuan kreditë me probleme, Sejko: Ekonomia shënon kthesë në 2021-shin!

20 Prill 2021, 15:50

Vaksinimi, lehtësimi i masave kundër virusit si dhe pritshmëritë për një sezon të suksesshëm turistik, sipas Bankës së Shqipërisë janë indikatorët kryesor që do të ndikojnë në rritjen ekonomike të vendit.

“Parashikimet tona sugjerojnë se ekonomia shqiptare do të shënojë një kthesë drejt rimëkëmbjes gjatë vitit 2021, me reduktimin gradual të ndikimit negativ të pandemisë. Vëllimi i aktivitetit ekonomik pritet të lëvizë në një trajektore rritëse në afatin e mesëm e të gjatë, i mbështetur nga kushtet e favorshme të financimit, nga reduktimi i pasigurive, si dhe nga rikuperimi progresiv i kërkesës së brendshme dhe të huaj. Ne presim një sezon turistik më të suksesshme se vitin e kaluar, padyshim edhe prej vaksinimit, dhe në rast se kemi edhe ulje të masave sigurisht që edhe ekonomia shqiptare do të performojë mirë, dhe ne parashikojmë rritje rreth 5% jemi pak më konservativ se parashikimet e ndërkombëtarëve dhe të institucioneve vendase”, u shprehe Sejko.

I pranishëm në komisionin e Ekonomisë për të prezantuar raportin vjetor të bankës qendrore, guvernatori Gent Sejko u shpreh se falë masave të ndërmarra u frenua një recesion i thellë ekonomik.

“Ne vlerësojmë se masat e marra kanë qenë efektive, duke mbështetur ekonominë në disa drejtime. Po ashtu, mbi 23,000 biznese e familje me kredi në vlerën e rreth 200 miliardë lekëve, përfituan nga moratoriumi i pagesës së kësteve të kredisë dhe ristrukturimi i kredive ekzistuese. Masat e marra prej Bankës së Shqipërisë për të ndihmuar bankat në trajtimin e kredive të kredimarrësve në vështirësi të përkohshme financiare dhe për ristrukturimet e kredive, krijuan hapësira për stabilizimin e nivelit të përgjithshëm të kredive me probleme, ndaj Banka e Shqipërisë mbetet veçanërisht e kujdesshme në monitorimin e këtij treguesi’, tha guvernatori.