Mashtrimi i “Gulf” me tollonat, shpallet në kërkim menaxheri i kompanisë, Albano Aliko

21 Prill 2018, 18:08

Pas denoncimeve të qindra qytetarëve për mashtrim me tollonat, janë shpallur në kërkim menaxherët e kompanisë “Gulf Oil”, një prej të cilëve i identifikuar si Albano Aliko.

Ai ka shitur një numër të madh tollonash pak ditë përpara mbylljes së aktivitetit të kompanisë së tregimit të karburanteve, duke shkaktuar një dëm financiar prej 1.5 milionë euro vetëm konsumatorëve, ndërsa duke llogaritur edhe detyrimet e papaguara në tatime, dëmi shkon në 5 mln euro. Skema e mashtrimit dyshohet se është krijuar pikërisht nga Albano Aliko. Disa muaj më parë kompania “Gulf Oil” ka shitur tollona 120 lekë për litër, që është 25-40% më lirë se nafta që tregtohet në pikat e tjera të pakicës (165-178 lekë/litër), një skemë mini piramidë kjo, duke ua lënë tollonat në dorë konsumatorëve. Organi i akuzës së kryeqytetit dyshon se menaxherët e “Gulf”-it, me vetëdije kanë shitur nëpërmjet tollonave shumë më tepër litra karburant nga sa ka patur në gjendje kompania. Ndonëse karburanti është shitur me vlerë të reduktuar brenda pak ditëve, dyshohet se nga kjo skemë janë mbledhur mbi 1,5 milionë euro.