Mashtrimi II/ Pronarët e ‘Belle Air’ fshihen pas ‘Fly Ernest’ (Investigimi dhe dokumentet)

12 Janar 2020, 11:40 | Përditesimi i fundit: 2020-01-12 11:42:21

Kjo menaxhere e re që bisedon me një grup gazetarësh të huaj e ju tregon vlerën dhe potencialin e kompanisë “Fly Ernest” quhet Ilza Xhelo dhe është një shqiptare 35-vjeçare.Në një intervistë për gazetën prestigjioze “Il Sole 24 ore” Ilza Xhelo është prezantuar si bashkë-themeluese e shoqërisë “Fly Ernest”, shoqëria ajrore e themeluar në Itali në nëntor të vitit 2015 me kapital italo-danez dhe deri para pak ditësh e lidhte Italinë e Shqipërinë me 9 fluturime në ditë.Por “Fly Ernest”-it, e mbytur në borxhe dhe parregullsi, i është pezulluar licenca nga Autoriteti Italian i Aviacionit Civil më 29 dhjetor dhe nga 11 janari ka ndërprerë të gjitha fluturimet duke përfshirë edhe ato të Shqipërisë, e duke krijuar panik tek mijëra qytetarë.Një makth i tillë është përjetuar në Shqipëri në tetor 2014, kur i njëjti skenar identik është përsëritur për kompaninë “Belle Air”, kur 53.000 pasagjerë u mashtruan për shkak të falimentimit misterioz të shoqërisë, që solli arratisjen e dy pronarëve jashtë vendit dhe të linin pas 56 milionë euro.E themeluar në vitin 2005, pak muaj pas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike, me Lulzim Bashën ministër Transporti, “BelleAir” është përfolur për shumë vite si një kompani e lidhur me Partia Demokratike. Te gjithë e kujtojnë mes të tjerash një ofertë biletash falas për shqiptarët që duhej të vinin në Shqipëri për të votuar Lulzim Bashen si kryetar të Bashkisë Tiranë në zgjedhjet e vitit 2011.