Ish-ministri i Brendshëm italian, Matteo Salvini ka folur në një nga emisionet më të ndjekur italiane për ndihmën që Shqipëria i dha shtetit mik me 13 mjekë për të luftuar COVID-19.
Kreu i LEGA-s hoqi paralele me vendet e mëdha evropiane, duke përmendur me emra edhe Gjermaninë, Holandën e Brukselin që nuk kanë dhënë asgjë për Italinë, ndërkohë që Shqipëria e vogël ndihmoi me 10 mjekë dhe 20 infermierë.
Në emisionin "Non e la D'Urso", moderatorja Barbara D'Urso u bashkua me këtë linjë qëndrimi, duke cituar fjalët e kryeministrit Edi Rama, se "ne jemi të varfër, por nuk harrojmë që Italia na ka qëndruar gjithmonë pranë".
Matteo Salvini: Telefonova personalisht kryeministrin shqiptar Edi Rama për ta falënderuar si italian, atë dhe popullin shqiptar që dërguan 30 mjekë. Nga Europa nuk arrin asgjë, nga Gjermania, Holanda, Brukseli nuk vjen asgjë, nga Shqipëria e afërt vijnë 30 mjekë, dhe unë e falënderoj me zemër.
Barbara D'Urso: Bashkohem me këtë.
Kryeministri shqiptar tha: "Ne jemi të varfër, por nuk e kemi memorien e shkurtër. Italia na ka qëndruar gjithmonë pranë dhe ne me sa kemi mundësi tani do të ndihmojmë Italinë."
Dua ta falënderoj Shqipërinë që është një popull i mrekullueshëm që unë njoh. Megjithatë në Evropë ka shumë që e kanë memorien e shkurtër.
Ndoshta Evropa nuk e ka kuptuar ende që këtu njerëzit vdesin. Njerëzit janë në shtëpi pa para. Njerëzit vdesin nga uria.