Mbi 10 ditë i zhdukur, zbulohet mesazhi i fundit i biznesmenit italian për punonjësit! Në makinën e djegur në Pukë u gjet skeleti pa shenja dhune, zbardhet itinerari

18 Janar 2021, 12:12 | Përditesimi i fundit: 2021-01-19 16:49:16

Zbardhen detaje të reja nga zhdukja biznesmenit italian Davide Pecorelli, 45 vjeç, i cili mendohet se është gjetur në makinën e marrë me qira prej tij, që u gjet e djegur pasditen e 6 janarit në Pukë, ende në rrethana të paqarta. Në makinën e djegur është gjetur një skelet që dyshohet se është i tij. Kockat janë dërguar për ekzaminim në laboratorin kriminalistik në Tiranë dhe pritet të dalë përgjigjia e ADN, e cila do të krahasohte me atë të familjarëve të tij.

Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta raporton se hetuesit shqiptarë deklarojnë se janë të bindur se zjarri është aksidental ndërkohë që priten përgjigje për trupin në makinë. Nga hetimet e deritanishmeka rezultuar se në eshtrat e gjetura s’ka dëmtime me plumb apo shenja dhune. Sipas hetuesve ngjarja është aksidentale dhe bëhet fjalë se eshtrat janë të biznesmenit, por në fund do jetë ADN-ja ajo që do e faktojë.

Sipas informacioneve brenda makinës së djegur janë gjetur gjithashtu edhe detergjentë dhe produkte të tjera kozmetike për parukeritë, biznes të cilën Pecorelli e kishte në Itali dhe mendohet se e hapte edhe në Shqipëri. Një orë dhe një telefon që i kanë shpëtuar djegies janë të tjera mjete që janë gjetur në makinë dhe që do të ndihmojnë për zbardhjen e ngjarjes.

Referuar qëndrës kombëtare të biznesit rezulton se më 19 gusht 2020 ai ka regjistruar aktivitetin e tij tregtar në Vlorë duke përdorur si adresë apartamentin në lagjen Pavarsia në një pallat në katin e 6-të. Biznesi i tij ka qenë dhe arsyeja e vizitës së tij të fundit.

Nga “GPS” i makinës ka rezultuar se mjeti i marrë me qira nga italiani ka lëvizur nga Tirana në Vlorë, nga Vlora në Shkodër, më pas në Pukë ku ka fjetur dy netë në Hotel Turizmi. Ai kishte prenotuar edhe për një natë të tretë. Më 6 Janar ai ka patur kontaktin e fundit me të afërmit e tij dhe nga ai moment komunikimet janë ndërprerë. Është kjo dëshmija e bashkëshortes shqiptare të biznesmenit italian Davide Pecorelli. Ajo ka thënë për hetuesit se pasditen e 6 janarit, të mërkurën Davide ka qenë onlinë në WhtasUp. Ndërkaq gruaja e biznesmenit ka thënë se nuk e di nëse “Davide ka pasur probleme me dikë”.