Mbi 10 mijë shqiptarëve u ndalohet udhëtimi në zonën Shengen, Merkaj shpjegon arsyet

2 Tetor 2019, 16:21

Policia e Shtetit ka bërë një bilanc të shqiptarëve të ndalur për të hyrë në zonë Shengen gjatë 9 muajve të parë të këtij viti. Në një deklaratë për mediat, drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionit, Eduart Merkaj tha është ndaluar përkohësisht udhëtimi drejt zonës Shengen 10.684 shtetasve shqiptarë, mes tyre 735 të mitur.

"Gjatë periudhës janar - shtator, nga shërbimet e Policisë Kufitare, në të gjitha pikat e kalimit kufitar u është ndaluar përkohësisht udhëtimi drejt zonës Schengen 10 684 shtetasve shqiptarë ose 30% më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, ndër të cilët 735 shtetas të mitur që nuk kanë plotësuar kriteret për të udhëtuar jashtë vendit. Njëkohësisht nga ana e Policisë Kufitare në bashkëpunim me Strukturat e Drejtorive Vendore të Policisë në qarqe janë duke u ndjekur dhe verifikuar 14 raste të braktisjes së fëmijëve nga prindërit, me qëllim përfitimin e azilit në Francë apo Gjermani." ka thënë Eduart Merkaj, Drejtor i Kufirit dhe Migracionit.

Merkaj tha se që nga muaji Janar e deri më tani janë evidentuar dhe goditur 1 427 raste të paligjshmërisë.

"Janë kapur 376 persona në kërkim, janë identifikuar 285 raste të përdorimit të dokumenteve të falsifikuara ose 33% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe janë sekuestruar 398 dokumente të falsifikuara ose 30% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Si rezultat i masave të shtuara në kufirin jeshil, janë proceduar penalisht 819 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit dhe janë kapur nga patrullat e Policisë Kufitare në afërsi të kufirit jeshil, në tentativë për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme 8 795 shtetas, të cilët janë ndëshkuar me masë administrative gjobë." ka thënë më pas Merkaj.

Gjithashtu, janë evidentuar dhe goditur 29 raste të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Drejtori për Kufirin dhe Migracionin theksoi më tej se në sajë të bashkëpunimit me Guardia di Finanza, gjatë këtij viti janë zhvilluar 8 operacione të përbashkëta dhe 4 operacione ndërmjet Policisë Kufitare të Sarandës dhe Policisë kufitare të Igumenicës, në Greqi për parandalimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike nëpërmjet kufirit jeshil.

    No videos found.