TIRANE - Paktin për Universitetin, s'ka më kthim prapa! Kështu u shpreh ministrja e Arsimit Besa Shahini, teksa shtoi se bursat dhe tarifat e përgjysmuara vazhdojnë edhe vitin e ardhshëm akademik.
E pranishme në ceremoninë e prezantimit të 223 të punësuarve falë “Programit Kombëtar të Praktikave të Punës” Shahini në fjalën e saj përballë studentëve që në përfundim të praktikës u punësuan, nënvizoi vëmendjen e veçantë që MASR i kushton lehtësimit dhe mbështetjes në mënyrë të vazhdueshme për kalimin nga arsimi në tregun e punës.
"Programi Kombëtar i Praktikave të Punës mishëron më së miri vlerat dhe arritjen e këtij objektivi. Sot që flasim, jemi në vitin e 4-t të këtij programi, një vit edhe më i konsoliduar në të gjitha aspektet. Sot nis edhe rrugëtimi i punësimi i 223 praktikantëve në institucione të ndryshme qendrore, vendore dhe kompani private. Në periudhën Mars-Qershor 2019 janë zhvilluar 951 praktika pune 3-mujore, prej të cilave u kemi hapur rrugën e punësimit një-vjeçar më të mirëve falë performancës së tyre të lartë që kanë treguar", tha Shahini.
Duke u ndalur gjithashtu tek “Pakti për Universitetin”, Ministrja Shahini theksoi vëmendjen maksimale të qeverisë shqiptare ndaj studentëve dhe përmirësimit të arsimit të lartë.
"Pakti për Universitetin është fillimi i punës tonë qe kemi nisur. Kemi vendosur të shtojmë buxhetin - jo vetëm për këtë vit, por edhe për vitet në vijim për të investuar në kampuset universitare apo çdo gjë tjetër që kanë nevojë studentët. Këtë vit, shtesa në buxhet kapi vlerën e mbi 2.3 miliard lekëve prej të cilës përfituan gati 90% e studentëve”, shtoi Ministrja Shahini.