Mbi 30 vite në thellësitë e galerive të minierës së Bulqizës, rrëfimi i rrallë i minatorit Ferhat Kurti për Report Tv: Fatlum që jam gjallë, kam nxjerrë shokë të vdekur

21 Mars 2021, 19:23

#reportTV #lajmeshqip #lajme 30 vite në galeritë e minierës së Bulqizës... Ferhat Kurti ka kaluar një jetë plot sfida. Vazhdon të punojë çdo ditë me përkushtim edhe pse e ka mbushur moshën e pensionit të parakohshëm. "Unë dal në pension në dhjetor të vitit kaluar kam mbush 55 vjeç pres të më dalë pensioni". Ferhat Kurti, jeton me 4 fëmijët, bashkëshorten dhe nënën në ish-pallatin e punëtorëve në qytetin e Bulqizës. Të ardhurat për familjen i siguron nga puna në miniere. "S'kam asnjë të ardhur tjetër, me shtëpi jemi në pallatin e punëtoreve. Gruaja punon në stom. Jetojmë në fjetoren që quhet pallati i punëtoreve, presin të na bëjë letrat (hipotekën) shteti. Kemi investuar për shtëpinë se më përpara kemi qenë të gjithë banorët me një banjo të përbashkët". Në rrëfimin e tij emocionues për Report Tv, minatori tregon se ka punuar në fronte të vështira. "Kam punuar me hapjen e pusit nr, 8 nga fillimi deri në fund, me ujëmbledhësa, gjithmonë minator në fronte të vështira, në rreziqe. Kam 30 vjet në miniere nëpër kolonat e pusit, se nuk i njohin të gjithë punime vertikalisht në thellësi". Me pikëllim kujton momentet kur ka nxjerrë kolegët t¡ pa jetë nga galeritë. "Vështirësi ka pasur plot. Kam nxjerrë gjithë ato njerëz... kam nxjerrë minatorë të plagos kam përjetuar vështirësi. Kanë vdekur shumë minatorë". 55-vjeçari është dëmtuar dhe vetë në minierë, por KEMP-in nuk ka arritur ta përfitojë. "Tre gishta më janë këput vetëm më është paguar raport, shpërblim s'kam përfituar tentova të marr një KEMP nuk e përfitova nuk e di pse doktori thoshte me rregullore po, por nuk ma thanë, sic shyqyr kam jetën se me plot vështirësi e vuajtje e kam kaluar". Tre djemtë nuk e kanë zgjedhur rrugën e të atit, për shkak të vështirësive të shumta që ka puna në minierë, ndërsa pagesa dhe pensioni mbeten të ulëta për këtë profesion. "Kam tre djem, asnjëri nuk punon në miniere, çfarë pasurie kam unë? Kënaqësi e quan kur merr një pension të mirë, minatori duhet të ketë një lek mënjanë. Të kesh rezerva kjo nuk ekziston tek minatori. Një ditë të mos shkosh në punë mbetesh pa lek, pagesa është 2500 lek dita". Pavarësisht peripecive të shumta, minatori Ferhat Kurti falenderon zotin se është gjallë! "Zoti i madh më ka shpëtuar deri në këto momente. Çdo minator është fatlum që është gjallë sepse rreziku është i paimagjinueshëm".