Mblidhet Kuvendi i Kosovës! Oferta e Mustafës: Votojmë Kurtin kryeministër dhe dalim në opozitë

26 Dhjetor 2019, 15:28 | Përditesimi i fundit: 2019-12-26 17:20:22

Sot në orën 15:00 mblidhet Kuvendi i Kosovës. Në përbërjen e re parlamentare do të jenë të përfaqësuara 14 subjekte politike.

Seanca do të kryesohet nga deputeti më i vjetër në moshë, përkatësisht Jahja Koka, shoqëruar nga deputeti më i ri, në rastin konkret, deputetja Fjolla Ujkani, që të dy deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje.

Pikë e parë e seancës do të jetë formimi i komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve, për t’u pasuar me betimin e deputetëve.

Seanca konstituive do të përmbyllet me zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit.

Po ashtu janë përcaktuar edhe ulëset për grupet parlamentare. Kështu, konform rregullores dhe praktikës së deritashme, grupi më i madh parlamentar që është Vetëvendosje do të ulet në qendër, grupi i dytë me radhë e që është LDK në anën e djathtë të kryesuesit të seancës, ndërsa grupi i tretë që është PDK në anën e majtë të kryesuesit.

Lëvizja Vetëvendosje ka 29 vende në parlamentin 120 vendesh, Lidhja Demokratike e Kosovës ka 28, Partia Demokratike 24, koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate ka 13 vende dhe koalicioni NISMA-AKR-PD ka 6 vende. Lista Serbe ka fituar 10 vende aq sa i takojnë komunitetit serb.

Të dyja partitë kanë gjithsej 57 vende në parlamentin me 120 deputetë, ndërsa për ta miratuar formimin e qeverisë duhen së paku 61 vota. Për këtë ato llogarisin në votat e deputetëve të komuniteteve jo serbe.

Deri më sot, LDK dhe Vetëvendosja nuk janë dakordësuar për arritjen e një marrëveshje koalicioni për formimin e qeverisë së re të Kosovës.

Dje në mbrëmje lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka njoftuar se kanë dështuar negociatat me partinë e Isa Mustafës për koalicionin.

Po ashtu dje nuk mungoi edhe reagimi I këtij të fundit, i cili deklaroi se nuk tërhiqet nga kushtet, se LDK-së i takon kryetari i Kuvendit, Presidenti dhe gjysma e qeverisë.

Kosova ka përvojë të proceseve të gjata të negocimit të koalicioneve qeverisëse në të kaluarën. Vëzhguesit ndërkaq thonë se vendi ndodhet në një periudhë kur duhet përshpejtuar proceset për të shmangur zgjatjen e një boshllëku institucional që mund të ketë pasoja për të ardhmen