Mbretëria e Bashkuar sot voton në zgjedhjet më të rëndësishme në historinë e vendit

12 Dhjetor 2019, 12:59

Sot Britania e Madhe i është drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur kryeministrin dhe qeverinë e re pas muajsh debatesh dhe krize të provokuara nga çështja Brexit dhe vulosur nga ‘tradhëtia’ e disa konservatorëve.

Ishte një fushatë zgjedhore frenetike për kryeministrin britanik Boris Johnson, i cili sipas sondazheve të fundit, është në avantazh me 9 pikë përqindje ndaj Laburistëve.

ohnson synon ta largojë Britaninë nga BE brenda janarit të vitit 2020 kurse rivali i tij Jeremy Corbyn premton të organizojë një referendum të dytë për largimin nga Bashkimi Europian.

Britanikët do të votojnë sipas sistemit 'first past the post',  një sistem votimi i përdorur në Mbretërinë e Bashkuar që nga shekulli XIX për të zgjedhur parlamentarët e Westminsterit që përbëjnë Dhomën e Komunave.

Për të marrë një shumicë absolute, një parti duhet të tejkalojë 325 vende. Edhe në rast kur asnjëra prej partive nuk siguron shumicën, Mbretëresha i jep detyrën e formimit të ekzekutivit liderit të partisë që ka siguruar më shumë vende, situatë kjo e ngjashme me zgjedhjet e viteve 2010 dhe 2017.

I.C./Shqiptarja.com