'Mbrojtja' ligj për disiplinimin e ushtarakëve, ndalohen fotot në rrjetet sociale, alkooli, bixhozi dhe falja me uniformë

10 Korrik 2020, 11:46

TIRANE-Ministria e Mbrojtjes kërkon disiplinimin e ushtarakëve nëpërmjet një ligji. Report Tv ka siguruar projektligjin. Ndëshkimet janë nga ulja e gradës, ulja e pagës e deri në përjashtim nga ushtria. Ushtarakëve nuk ju lejohet të postojnë në rrjetet sociale foto apo video personale apo të kolegëve me armatim ushtarak, simbole dhe mjete ushtarake. Nuk ju lejohet të pranojnë dhurata nga vartës apo persona të tjerë në lidhje me shërbimin ushtarak.

Në rast se ushtaraku nuk deklaron përdorimin e armës së zjarrit do të klasifikohet shkelje e rëndë çka çon në përjashtim. Ushtarakët do të ndëshkohen edhe nëse prishin qetësinë në njësi apo repart ushtarake. Kush kapet duke luajtur bixhoz në ambiente ushtarake me qëllim përfitimi monentar do të ndëshkohet. Në rast se ushtarakët nuk respektojnë orarin e punës më shumë se njëherë brenda një muaji do të ndëshkohen me uljen e pagës dhe gradës.Në rast se ushtarakët regjistrojnë eproret fshehurazi do të ndëshkohen. Ushtarakëve u ndalohet rreptësisht kryerja e riteve fetare me uniforme jashtë reparteve. U ndalohet alkooli, përdorimi i makinave të punës, etj. Janë këto disa nga risitë e propozuara si masa për të futur disiplinimin e detyrueshëm në forcat e armatosura, që pritet që të diskutohen në komisione përpara se të miratohet në Kuvend.