'Mbrojtja' në alarm nga zjarret, shkresë bashkive dhe policisë: Emergjencë, merrni masa! Zbuloni autorët

22 Gusht 2020, 11:21

TIRANE-Vatrat e zjarrit në disa bashki të vendit në javët e fundit kanë vendosur në lëvizje institucionet. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, strukturë në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes i ka drejtuar sot dy shkresa respektive 61 bashkive, 12 prefektëve dhe Policisë së Shtetit.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile e cilëson situatën mjaft emergjente duke kërkuar koordinim dhe reagim të shpejtë. Zjarret, ministria i cilëson të qëllimshme dhe për këtë arsye kërkon zbulimin dhe ndëshkimin e autorëve, pasi kjo sipas saj do të ulte numrin e raste.

"Sipas të dhënave paraprake, kjo periudhë problematike për zjarrvënien e qëllimshme për marrjen e masave për përballimin e zjarreve. Zjarret kanë krijuar situata emergjente, duhet bashkërendim dhe koordinim strukturash. Merrni masa të plota për parandalimin dhe minimizimin e dëmeve nga zjarret

Pushteti vendor të japë informacion në kohë reale për shfaqjen e vatrave të zjarrit. Bashkitë të zhvillojnë trajnime detyruese për punonjësit për situatat e zjarreve. Bashkitë të mbajnë në gatishmëri dhe të përdorin të gjitha kapacitetet zjarrfikëse. Në bazë të ligjit, bashkitë, vullnetarët dhe vetë qytetarët, janë kapacitetet për shuarjen e vatrave të zjarrit".

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile i kërkon policisë së shtetit në mënyrë emergjente që të zbulojë autorët. "Të merren masa për zbulimin e autorëve të zjarreve, qofshin ato me dashje apo dhe nga pakujdesia. Zjarrvënësit të ndëshkohen sipas përcaktimeve të Kodit Penal.

Zbulimi i autorëve ul numrin dhe madhësinë e zjarreve. Ndëshkimi i autorëve ndërgjegjëson qytetarët se zjarrëvenia është krim. Koordinim me pushtetin lokal dhe kryepleqtë për identifikimin e autorëve. Të ndiqen me prioritet zjarrvëniet duke informuar publikun për autorët e tyre".