Mbyllet takimi i pedagogëve me ministren e Arsimit, Marku: S'gjetëm zgjidhje

1 Shkurt 2019, 12:45

TIRANE-Mbyllet pa zgjidhje takimi i disa pedagogëve të Universitetit të Tiranës me ministren e Arsimit dhe Sportit, të cilët pak ditë më parë i vendosën ultimatum qeverisë deri në datë 1 shkurt (lexo ketu), që të ndryshonte ligjin e Arsimit të Lartë, ose në të kundërt do të bojkotonin mësimin duke paralajmëruar edhe grevë. Në takim me ministren e Arsimit dhe Sportit ishin pedagogët; Mark Marku, Rezart Prifti, Jani Marka, Altin Shegani, Marinela Shota dhe Erika Bejko.

Disa nga pedagogët janë aktivistë të Partisë Demokratike. Pas takimit që zgjati rreth dy orë, Mark Marku u shpreh se biseda ishte konstruktive, por në fund refuzuan tentativën e ministres për të negociuar për kërkesat e tyre. Marku theksoi se do të presin deri në mbrëmje për një përgjigje zyrtare nga ministria e Arsimit dhe nëse nuk pranohen kërkesat e tyre brenda dy ditëve do të vendoset nëse pedagogët do të futen në grevë.

"Diskutuam për gjendjen në universitet dhe i qëndruam kërkesave tona. Faktikisht nuk pati qëndrim konkret nga ministrja, nuk u shpreh gjatë takimit për asnjërën nga kërkesat. Ne e konsiderojmë si mos përgjigje ndaj kërkesave, presim deri në darkë nëse do të ketë përgjigje konkrete. Nesër do mbajmë një qëndrim. U diskutua, por nuk u ra dakord për asgjë. Ne do të konsultohemi në asamble, pasi vendimi për grevë do të duhet të merret me pedagogët. Por do të presim deri në darkë për një përgjigje, në të kundër do i drejtohemi trupës akademike për një qëndrim.