Mbyllet turi Çiklistik i Shqipërisë, Zhupa fiton etapën e fundit Sarandë-Fier

24 Maj 2019, 19:36

Është mbyllur sot turi i 76 çiklistik i Shqipërisë me etapën e pestë Sarandë-Fier të fituar nga shqiptari Eugert Zhupa. Një garë e fortë e gjatë 160 km e cila ishte e dyta që fitohej nga ekipi shqiptar. Në këtë tur morën pjesë 15 ekipe nga 13 vende të ndryshme të Europës, ku në fitues i fanelës së verdhë u shpall italiani Filipo Fioreli i skuadrës “Cragnano Sporting Club”.

Pas përfundimit të etapës që gjithashtu ishte edhe e fundit për turin çiklistik fituesi Eugert Xhupa u shpreh:

“Ishte garë shumë e vështirë sot. Kam bërë 160 kilometra vetëm dhe kam dhënë maksimumin e forcave të mija. Jamë shumë i gëzuar por nuk dallohet pasi lodhja ka bërë të vetën.”

Ndërkohë trajneri i Kombëtares Dashamir Rama deklaroi:

“Ky është rrethi që ne kemi patur rezultatin më të mirë. Patëm një ekip Kombëtar kompakt me element të mirë. Federata organizoi një grumbullim në Shkodër për të njohur terrenin e garës dhe për të bërë stërvitjen e malores. Siç duket dha rezultat që në etapën e parë.”

Presidenti i Federatës së Çiklizmit, Skënder Anxhaku, pas mbylljes së turit Çiklistik të Shqipërisë u shpreh:

“Ky ishte rrethi i 76 dhe filloi nga Shkodra pasi është djepi i çiklizmit shqiptar. Një bashkëpunim shumë i madh ndërmjet federatës, Ministrisë së Arsimit të Sporteve si dhe Komitetit Olimpik.”