Dita e sotme mund të hyjë në histori për shqiptarët në Tuz të Malit të Zi, sepse sot janë zhvilluar zgjedhjet lokale për kryetarin e komunës që u nda nga Podgorica në 1 shtator 2018. Për herë të parë në historinë e proceseve të tilla lokale, partitë politike shqiptare dalin të bashkuar në koalicionin “Malësia na Bashkon”. Me qëllim maksimalizimin e votave dhe arritjen e një rezultati fitues, tre partitë shqiptare Alternativa Shqiptare (kryetar: Nik Gjeloshaj), Lidhja Demokratike Shqiptare (kryetar: Nikollë Camaj) dhe Unioni Demokratik Shqiptar (kryetar: Fadil Kajoshaj) janë bashkuar në koalicionin parazgjedhor “Malësia na bashkon”. Kjo mundëson që ata të kandidojnë më një listë të vetme për kryetarin i ri, i cili më pas do të zgjidhet nga Këshilli Komunal, ose siç njihet ndryshe Parlamenti i Tuzit, i cili në përbërje ka 32 anëtarë. Ai do të zgjidhet më shumicë të thjeshtë, pra më 17 vota. Në total janë 11.800 votues të cilët kanë pasur të drejtën t'u drejtohen 30 qendrave të votimit. Votimi u mbyll në orën 20:00, ndërsa pjesëmarrja ishte 62%. Shqiptarët pasdite kanë denoncuar përmes një video blerjen e votave duke akuzuar partinë e kryeministrit Milo Gjukanoviç. Ndërkohë që përfaqësues të partive shqiptare e kanë cilësuar procesin e sotëm si një referendum që përcakton të ardhmen e komunitetit shqiptar atje. Dokumentet në zgjedhje ishin edhe në gjuhën shqipe, pasi rajoni i malësisë është i populluar me shumicë shqiptare.
