Mbyllja e konvikteve, studentët: Ku të shkojmë? Nuk mendojnë për ne, vendimi të dilte para pagesave

30 Tetor 2020, 16:26

Komiteti Teknik i Ekspertëve ka marrë vendimin që universitetet që do të nisin më datë 2 nëntor të zhvillohen vetëm online, ndërsa konviktet do të qendrojnë të mbyllura deri në një njoftim të dytë. Por ky vendim i komitetit që erdhi vetëm 3 ditë para se të nisë viti i ri akademik ka shkaktuar pakënaqësi tek studentët, të cilët kanë bërë pagesën paraprake për konviktet si dhe kanë nisur të sjellin sendet e tyre personale.

“Do mbyllet edhe nuk rëndësi nëse ti je në punë apo në shkollë do mbyllet se s'bën, ndërkohë që studentët kanë angazhime të tjera dhe nuk kanë ku qendrojnë, pagesat u bënë, të kishte dalë vendimi përpara se të bënim pagesat, nuk mendojnë asnjë gjë për ne. Konviktin e kemi paguar për 4 muaj, pagesa do na kompensohet në muajt e tjerë kur të vijm, ndërkohë që ne si studentë kemi dhe angazhime të tjera, ndoshta jemi në punë, ndoshta jemi në kurse, duhet të largohemi nuk kemi ku të qendrojmë më, ky është problemi. Jam në vit të tretë bachelor, sot erdhëm të sillnim gjërat, sot na thanë që është mbyllur konvikti.

Për ne që jemi student konviktet do të mbyllen, deri tani rregulli është për një muaj, pastaj jemi në pritje të një njoftimi të dytë për të parë se si do të vazhdojë”-u shprehën studentët.

Me të shqetësuar se studentët janë prindërit. Ata tregojnë për sorrollatjen që po u bëhët dhe shpenzimet financiare.

“Vajzat janë në vit të parë, në telefon na thanë hajdeni, tani nuk gjejmë asnjë njeri këtu, po na sorrollasin, me cantat të ikim prap, 100 mijë lek na bën rruga, cfarë të bëjmë, nuk na sqaron njeri. Pagesën e kemi bërë online, për 4 muaj” - tha një prej prindërve.

Përveç konvikteve, ka studentë që zgjedhin të banojnë në shtëpi me qira. Për shumë arsye ata nuk mund të kthehen tek familjet e tyre.