'Mbytën' me kokainë Kolumbie 5 shtete të BE-së/ Sekuestrohen 3 milionë € pasuri në Shkodër! Kreu i bandës investime në emër të kunatit

29 Tetor 2019, 14:57

TIRANE - Sekuestrohen 3 milionë euro pasuri të investuara në Shqipëri nga kreu i një grupi kriminal në trafikun ndërkombëtar të drogës në disa shtete të BE-së, shkodranit Jetmir Kastrati, dhe 3 pjesëtarëve të tjerë të bandës, të arrestuar më 26 qershor 2019 në Danimarkë. Paratë e përfituara nga aktiviteti kriminal ishin investuar në Shqipëri, kryesisht në zona bregdetare, Velipojë, në prona që trafikantët i kishin regjistruar në emër të familjarëve dhe miqve të tyre.

Njeriu që drejtonte dhe financonte grupin e gjerë të trafikut në disa shtete si Danimarkë, Gjermani, Belgjikë, Suedi e Slloveni, e Shqipëri, rezulton sipas hetimeve të jetë Jetmir Kastrati ose siç njihej në Danimarkë, Sokol Krasniqi me pasaportë kosovare. Personat e tjerë të arrestuar, që u janë sekuestruar pasuritë, janë Eri Pelingu, Armando Doçaj që njihej ndryshe si Astrit Doçaj dhe Dëfrim Eçi. Eri Pelingu, njihej edhe me pseudonimet Eri Elbasani apo Ergys Elbasani. 

Më 26 qershor, policia sekuestroi 200 mijë euro 10 milionë lekë, 7 automjete, 7 banesa dhe 1 biznes, në operacionin "Goldfinger", koordinuar nga Europol-i dhe i drejtuar nga autoritetet e hetimit në shtetet ky grupi kishte shtrirë aktivitetin kriminal.

Por me thellimin e hetimeve ndaj të arrestuarve, është arritur të provohet nga prokuroria, se shqiptarët, përmes të afërmve të tyre në atdhe, kishin blerë prona të shumta duke i regjistruar në emër të familjarëve, disa prej të cilave ju sekuestruan në vijim të aksionit, ditën e sotme.

Kështu, u sekuestruan në total me vendim gjykate, një pulari me aktivitet në Shkodër, me vlerë investimi mbi 1,5 milionë euro;10 apartamente në plazhin e Velipojës, 1 në Shkodër; 14 automjete të markave të ndryshme, prodhim i viteve të fundit.

Pularia buzë lumit Drin, në Bërdicë e Sipërme në Shkodër, dyshohet të jetë investim i Jetmir Kastratit, por që ai e kishte regjistruar në emër të kunatit të tij, Astrit Beqiri, edhe ky i fundit i arrestuar në Shkodër nga policia.

Prokuroria për Krime të Rënda po vijon hetimet për zbardhjen e gjithë skemës së këtij grupi kriminal, personat e tjerë të përfshirë, pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të regjistruara në Shqipëri në emër të tyre, familjarëve apo miqve, si dhe llogari bankare të përfituara nga aktiviteti kriminal. 

Sipas hetimeve, grupi i drejtuar nga Jetmir Kastrati kishte si prioritet vetëm trafikimin e lëndëve narkotike kokaine, ku me këtë mall furnizohej në Kolumbi dhe Ekuador, duke e futur më pas në vende të Europës, e shitur deri në Danimarkë dhe Suedi, me anëtarë serbë, holandeze, shqiptarë, suedezë dhe danezë.

Jetmir Kastrati rezulton i dënuar në Norvegji në vitin 2012 për veprën penale të “Pastrimit të parave”, e për rjedhojë nga frika e identifikimit të pronave në emrin e tij, ka bashkëpunuar me kunatin e tij Astrit Beqiri, duke i kaluar pronat në emër të tij.

Jetmir Kastrati dhe 3 pjesëtarët e bandës akuzohen për veprat penale: “Grupi i strukturuar kriminal ”, “Trafik ndërkombëtar i lëndëve narkotike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale".

Pasuritë e sekuestruara tashmë administrohen nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara pranë Ministrisë së Financave.