“Më 25 prill, kryq fletës së votimit’, Ruçi ‘zë ngushtë’ Ralf Gjonin: Po ti s’e ke emrin në listë, kush do qeverisi pastaj?

23 Mars 2021, 12:01

Deputeti i opozitës parlamentare, Ralf Gjoni, i bëri thirrje sot qytetarëve që në zgjedhjet e 25 prillit, t’i vendosin kryqin fletës së votimit.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Gjoni nuk i kurseu akuzat për partitë politike e kandidatët  për deputetë, për të cilët u shpreh se qëllim të vetëm kanë “mbushjen e xhepave të tyre”.

“Qytetarë duhet ta dini se e vërteta është krejt ndryshe, misioni i tyre i përbashkët është t’ju bëjnë juve kurban për xhepat e tyre. Ndaj në 25 prill kryq fletës së votimit, kryq kësaj klase politike të paaftë e diletante”, tha ai mes të tjerash.

Por thirrja e tij për t’i vënë kryqin fletës së votimit nuk kaloi pa vëmendjen e kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçit, i cili zuri ngushtë deputetin, ku i tha se ai nuk e ka emrin në listë dhe nëse i vendoset kryqi të gjithëve, “kush do qeverisë pastaj?

“Përshëndes që ke reflektuar nga seanca e parë që sot fole konform rregullores e përmbajtjes së ligjit. Por është hera e dytë që e përsërit këtë kryq të gjithëve, po ja futi kryq të gjithëve elektorati ti s’e ke emrin gjëkundi që të lërë ty, se kush do qeverisë këtu pastaj?”, tha Ruçi.