Me ardhjen në Tiranë në vitin 2006, familja e Argita Berishës ka hequr dorë nga një pagë prej 12.500 dollarë në muaj! Pse?

22 Mars 2021, 20:35 | Përditesimi i fundit: 2021-03-22 20:44:45

Më 3 tetor 2006 në të vetmen intervistë televizive të dhënë, Argita Berisha tha se që nga 1996 deri në kthimin e saj nga Kosova në shtator te  2005, ajo kishte kursyer bashkë me të shoqin, Jamarbër Malltezi, një pasuri prej 1 milionë e 50.000 dollarë, duke përfshirë këtu edhe shumën e një kredie bankare prej 150.000 eurosh. Argita pohoi se bleu me ato para’ pasuri të patundshme për një vlerë 745.000 dollarë, duke arritur me një rezultat të habitshëm t’i kushtojë 75% të pasurisë së saj investimeve të patundshme dhe vetëm 25 % shpenzimeve të përditshme për atë, bashkëshortin dhe tre fëmijët. Në atë 25% të shpenzimeve, përveç ushqimit, udhëtimeve, veshjeve dhe shpenzimeve për arsimim shtohen edhe kostot e qirave për 66 muaj qëndrim në Kosovë, pasi në totalin e të ardhurave të saj Argita Berisha llogariti edhe dietat e marra nga UNMIK për këtë qëllim.  

Nga këto të dhëna duket qartë që Argita Berisha, duke u kthyer në Tiranë, ka hequr dorë nga një rrogë neto prej 5000 dollarësh në muaj, të cilës duke i shtuar dietat dhe benefite të tjera, shkonte deri në 7500 dollarë në muaj. Bashkë me të kthehet në Shqipëri edhe bashkëshorti Jamarbër Malltezi, edhe ai nëpunës pranë UNMIK nga ku merrte 5000 dollarë në muaj si të ardhura. Në këmbim të çfarë benefiti çifti Berisha-Malltezi hoqi dorë nga rroga 12.500 dollarë në muaj të paguara nga Kombet e Bashkuara? E pyetur Argita përgjigjet se e bëri për fëmijët e saj, të gjithë në moshë të re, që pas 5 vite e gjysëm të rritur në Kosovë, papritur kishin nevojë për dashurinë e gjyshërve, aq më shumë tani që gjyshi Sali ishte bërë edhe kryeministër.  

Edhe nëse do të donim t’i besonim këtij versioni, mbetet pyetja kryesore: me cilat të ardhura dy bashkëshortët Malltezi-Berisha mendonin ta mbanin familjen pasi u kthyen në Shqipëri, duke patur konsumuar tashmë pjesën më të madhe të pasurisë së tyre në pasuritë e patundshme? Siç vetë Argita e pohon në fakt, në fund të vitit 2006 familja Malltezi-Berisha kishte në bankë vetëm 39.500 dollarë dhe 2000 euro gjendje, shumë që pjesërisht duhet të përdorej edhe për të shlyer kredinë prej 150.000 eurosh me afat 15 vite, e marrë nga banka Emporiki për të blerë një apartament luksoz në ETC, në qendër të Tiranës. 

Në fakt Argita dhe Jamarbëri hoqën dorë nga një rrogë prej 12.500 dollarësh në muaj pa pasur asnjë të ardhur tjetër të garantuar përveç mësimit në Universitet, pasi vendimi për t’u kthyer në Shqipëri lidhet me rolin e Sali Berishës i sapozgjedhur si kryeministër i Shqipërisë, pra me bindjen se të dy do të fitonin shumë më shumë falë favoreve të tij. Gjë që ndodhi me të vërtetë. 

Siç zbuloi Report TV në një investigim të mëparshëm Jamarbër Malltezi, vetëm një vit e gjysmë pas kthimit të tij në Tiranë, firmos me sipërmarrësin mik Fatmir Bektashi një kontratë për të ndërtuar 35% të 17 kullave që përbëjnë kompleksin Magnet: në total 125.000 metra katrorë që kushtuan mbi 30 milionë euro në ndërtim dhe me një vlerë në tregun imobiliar prej të paktën 120 milionë euro. Në 2019 Jamarbër Malltezi firmosi prape me Fatmir Bektashin një kontratë të dytë për të ndërtuar 50% të 49.000 metrave katrorë të tjerë në kompleksin Magnet2, që kushtojnë 21 milionë euro dhe që në tregun imobiliar vlejnë të paktën 50 milionë euro. Dy investimet gjigande u realizuan mbi tokat e ish-Kompleksit Sportiv Partizani, të cilin Sali Berisha e privatizoi në favor të ish-pronarëve të supozuar, mes të cilëve me kuota shumë të vogla dhe dhëndri i tij. Por pyetja që i bëhet Jamarbër Malltezit është një tjetër: Ku i gjeti kapitalet e duhura për të financuar këto dy investime miliardere, duke pasur në bankë vetëm 39.500 dollarë dhe 2000 euro? 

Përgjigja mund të gjendet pjesërisht në dokumentet e zbuluara nga redaksia investigative e ReportTV, e cila për herë të parë po përpiqet të hedhë dritë në aferat e familjes Berisha-Malltezi dhe si u ndërtua e gjithë skema e fitimit të miliardave nga ana e kësaj familje. 

Argita Berisha kthehet në Tiranë bashkë me një mikeshën e saj të vjetër dhe bashkëpunëtore në UNMIK, Flutura Kola Tafaj, edhe ajo avokate, edhe ajo e vendosur të lërë pas kurrizit rrogën e sigurt të marrë deri në atë moment në Kosovë nga arkat zemërgjera të Kombeve të Bashkuara, për t’u kthyer të jetojë në Shqipëri me familjen pa asnjë punë të garantuar. Sipas faqes investigative BIRN, ato ndërtuan tri kompani ligjore – Malltezi & Kola, Kola & Associates dhe Malltezi & Associates – duke ndarë zyrën dhe një listë në rritje klientësh fitimprurës. 

BIRN pretendon qe sipas të dhënave të regjistrimit të bizneseve, kompanitë ligjore të Malltezit u krijuan më 19 dhjetor 2005, pra vetëm 3 muaj pas emërimit të Sali Berishës në krye të qeverisë, por në të vërtetë gjurmët e studiove ligjore të Argita Berisha Malltezit janë zhdukurNë faqen zyrtare të QKB ku ruhet memoria e të gjitha shoqërive të regjistruara në Shqipëri, përfshi dhe ato jo më aktive, nuk gjendet më asnjë gjurmë  e studiove ligjore “Malltezi & Kola” dhe “Malltezi & Associates”. Do të ngrihej dyshimi se nuk kanë ekzistuar kurrë, nëse nuk do të gjenim një kurrikulum të Argita Berishës në të cilin ajo vetë referon se ka punuar në studion “Malltezi & Associati” nga 2005 deri në 2009. Një studio që nuk rezulton të jetë regjistruar kurrë. 

Në intervistën e saj në TV Klan në tetor të 2006, Argita Berisha shpjegon se ka punuar në studio me Flutura Kolën në 2005 vetëm për disa muaj dhe për t’u shkëputur më pas për të krijuar një studio të pavarur. Por kjo gjë nuk gjen konfirmim në regjistrat publikë të Shtetit, as në Drejtorinë e Tatimeve, ku nuk shfaqet asnjë studio ligjore "Malltezi & Associates", as gjenden gjurmë të bilanceve të aktivitetit të saj profesional që sipas ligjit duhet të ishin të depozituara. Madje dokumentet e siguruara nga Report Tv tregojnë që edhe mbi këtë çështje Argita Berisha gënjen.