Me duart në pranga, FOTO-Ekskluzive/ Kapet shoku i ekzekutuesit në Laç: S'kam lidhje me vrasjet

28 Qershor 2020, 10:51

TIRANE-Arrestohet Ilir Xhepaj 33 vjeç, njëri nga bashkëpunëtorët e Eduart Lamajt që ishte në kërkim për vrasjen e dyfishtë në Laç. Xhepaj u prangos mbrëmjen e djeshme në orët e vona në Kodër Kamëz nga policia dhe në momentet e arrestimit nuk ka bërë rezistencë ndërsa pas kontrollit është konstatuar se nuk ka pasur as armë me vete. Xhepaj u arrestua në makinën e tij teksa po tentonte të largohej jashtë Tiranës për t'u fshehur në një tjetër qytet. Ilir Xhepaj dyshohet se organizoi atentatin duke përdorur si vrasës me pagesë Eduart Lamajn. Deri tani të arrestuar janë Eduart Lamaj, Kreshnik Tusha dhe Ilir Xhepaj në operacionin e koduar "Ndjekja”. Ndërkohë në kërkim për vrasjet e Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit vijojnë që të jenë Elson Aliaj dhe Klaudio Perkola. Roli i Ilir Xhepajt në atentat dhe e shkuara kriminale Ilir Xhepaj (Lika) dyshohet se ka qenë pjesë e skuadrës, prej 4 personash të veshur si policë, që ekzekutuan me 20 plumba, Bujar Hasanin (Lika) dhe Paulin Gjergjin (Markaj). Nuk dihet ende nëse Ilir Xhepaj dhe viktima Bujar Hasani, kanë pasur një lidhje miqësie me njëri-tjetrin, kjo pasi të dy personat, para se të ndryshonin mbiemrin, mbanin të njëjtin (Lika).Sipas burimeve të policisë së Tiranës Ilir Xhepaj ka qenë njeriu që ka mbajtur të neutralizuar me armë dy djemtë e Paulin Gjergjit, 27 vjeçarin Nikolin dhe 21-vjeçarin Anton, në mënyrë që ata të mos lëviznin nga makina e tyre “Range-Rover”. Ndërkohë sipas policisë, është sërish Ilir Xhepaj ai që së bashku me një shok tjetër Elson (Oltion), Alija (Vlashi), kanë hyrë brenda në lokalin “A&A” duke ndihmuar të plagosurin Eduard Lamaj, pasi ky i fundit, gjatë shkëmbimit të zjarrit me Bujar Hasanin, mbeti i dëmtuar me një plumb, në gjurin e këmbës së majtë. Për policinë dhe prokurorinë e Laçit Ilir Xhepaj konsiderohet si person i rrezikshëm në Mamuras dhe Kurbin. Ai është nga fshati Gjorm, i Mamurasit dhe autorët, por edhe Bujar Hasani njiheshin me njëri-tjetrin, pasi rezultojnë nga e njëjta zonë. Xhepaj kishte vetëm tre muaj që ishte liruar nga burgu dhe bënte një jetë mes Tiranës, Laçit dhe Lezhës. I dënuar më herët për grabitje me armë në vitin 2012 në Kurbin, e po ashtu për një plagosje në Fushë-Krujë, Xhepaj, konsiderohet si një emër i rrezikshëm në këtë zonë.