Me një çantë me rroba, për një punë', Gent Zenelaj tregon fillimet e vështira

21 Qershor 2019, 11:52

E kemi parë shpesh të bëjë humor dhe kemi qeshur me këtë gjë, por këtë herë është treguar serioz kur bëhet fjalë për të treguar dashurinë që ka për gruan e tij Aidën. Mëngjesin e sotëm në emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv, aktori Gentian Zenelaj ka treguar se si ka nisur gjithçka nga zero dhe çdo gjë e ka ndërtuar me gruan e tij Aidën. Sipas tij kjo është edhe një prej arsyeve pse qëndron në Shqipëri, pa lënë pa përmendur prindërit, punën e shoqërinë.

"Çdo lloj guri në këtë puzzle e kemi vendosur bashkë. Pra kemi filluar bashkë me një biçikletë dhe me një shtëpi në Laprakë e cila kushtonte 120 mijë lekë. Madje më kujtohet që Aida e ka lyer vetë me gëlqere, se nuk kishim para. Në këtë mozaik çdo gur i vendosur e kemi kapur me dy duar, gjithçka është ndërtuar bashkë dhe seriozisht një shembull ku po të iki, ikën gjysma e këtij mozaiku jemi ne. Në këtë sens nuk mund të jemi pa njëri-tjetrin në gjithçka.", tha aktori në studion e "Rreze Dielli"

Një prej figurave më të dashur për publikun, aktori Gentian Zenelaj ka folur pa doreza mëngjesin e sotëm në emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv. Ai ka treguar se si ia nisi me vështirësi në vitin 1997 me vetëm një çantë me rroba dhe dilte në Tiranë për të kërkuar një punë. E gjithë kjo nisi nga pyetja e moderatores Bela Mero, nëse aktori i humorit, tashmë moderator do të zgjidhte të braktiste vendin për të shkuar diku tjetër.

"Nuk iki sepse nuk kemi çfarë bëjmë andej. Unë këtu ka krijuar gjithcka. Kam shtëpinë, kam familjen, kam gruan, fëmijët, miqtë. E para e punës nuk kam kohë të filloj gjithçka nga fillimi, siç e fillova në 1997-ën që kisha një çantë me rroba dhe bridhja nëpër Tiranë për të gjetur punë. E dyta e punës nuk kam më nerva që t’ia filloj nga fillimi dhe a ia vlen që gjithë kjo gjë që unë ndërtova ta shumëzoj me zero për të filluar jetën ku di unë, në Hollandë. Kam pasur një çantë  me rroba dhe bridhja për të gjetur një punë. Isha Raj Kapoor që bridhja vërdallë nëpër Tiranë deri sa gjeta punë. A ia vlen të nis tani çdo gjë, që kam edhe bashkëshorten, kam edhe dy fëmijë, kam edhe 2 prindër që nuk janë më të rinj",-u shpreh Gentian Zenelaj gjatë bisedës

Aktori foli ndër të tjera edhe për adoleshencën e tij. Megjithëse është shprehur se nuk është penduar për veprimet e asaj kohe, Zenelaj tha se ka bërë shumë gabime. Ai ka pohuar se ka bërë 6 vite gjimnaz dhe se së bashku me shokët e tij e keqkuptuan demokracinë e atyre viteve.

"Kam qenë një nxënës shumë i mirë në 8-vjeçare. Definitivisht përzierja me shoqëri shumë të keqe dhe ishin ato vitet kur ne e keqkuptuam demokracinë. Na u tha që erdhi demokracia dhe ti tani mund të mos shkosh në shkollë, mund ti thuash mësuesit çdo lloj fjale. Sigurisht shumë rini, jo vetëm Genti, mbaje mend që u dogj një brez i tërë nga 91’ deri në 97’ kur plasi çmenduria. Ta humbisje vitin shkollor në gjimnaz ishte mëse e thjeshtë, unë kam ngelur me 20%, vetëm me mungesa sepse na dukej shumë interesante që të mos shkoja në shkollë, na dukej shumë gango. Nuk merrnim libra me vete, sepse keqkuptuam çdo gjë, nuk ishim kaq të zgjuar sa janë gjimnazistët sot".,- tha aktori në studion e "Rreze Dielli"