'Me noterë e parukierë nuk bëhet shtet', Basha nga Ura Vajgurore: Thyejuni turinjtë atyre që vijnë për t’u blerë votën

15 Nëntor 2019, 13:30

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nga Ura Vajgurore është takuar me fermerët në kuadër të 'Rrugëtimit për Shqipërinë'.

Basha foli edhe për situatën politike në vend. Referuar betimit që gjyqtarja Arta Vorpsi bëri te noterja, kreu i PD është shprehur se nuk mund të bëhet shtet me noterë dhe parukierë.

Basha tha se në tryezën e Evropës është shtuar çështja e krizës politike dhe zgjidhja tha ai janë zgjedhjet.

"Nuk është gjykata ime, është gjykata juaj. Me noterë e parukierë siç i tha Presidenti nuk bëhet shtet. Sot ka dy mënyra, një mënyrë është të bësh sikur bën teatër bashkë me ta dhe asgjë nuk kishin për të ndaluar. " tha Basha.

Në bashkëbisedim me fermerët e zonës iu përgjigj edhe zërave kritikë , të cilët kanë fajësuar opozitën për djegien e mandateve. Basha është shprehur sipas tij se kjo nuk është dobësi.

Mes fjalës së tij Basha është shprehur se nuk do të zgjidhen problemet në duel me Ramën, pasi sipas tij kjo nuk do të sillte asgjë.

"Nëse prisni të dal në duel me Ramën të zgjidh problemet, atëherë nuk kemi arritur asgjë. Unë nuk ju shkrij së qeshuri me batuta, as nuk bëj foto me Ronaldon. Unë punoj e përpiqem për ju. Ngrihuni shkoni thyejuni turinjtë atyre që vijnë për t’ju blerë votën, dhe të mos tërhiqemi për asnjë centimetër  dhe ta çojmë këtë betejë deri në fund”-tha mes tjerash, Lulzim Basha.