Me parashutë mbi Berat, Klosi shpalos programin e turizmit nga ajri: Rrisim numrin e turistëve në qytet

14 Mars 2021, 20:08

#reportTV #lajmeshqip #lajme Nën atmosferën festive të ditës së Verës, me evente të ndryshme në të gjithë Qarkun e Beratit, ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, i pari i këtij qarku, zgjodhi të ndante nga ajri vizionin për zhvillimin e sektorit turistik, që ka hyrë tashmë në shinat e zhvillimit të një industrie turistike tē qendrueshme. Në eventin "Berati Open Air", ku vetë ministri ishte protagonist, Klosi nënvizoi rëndësinë e gërshetimit të investimeve infrastruktore me ofertët historike, kulturore, natyrore lokale. “Lagjja Kala, Mangalem, lagjja Goricë, kanë parë ndër shekuj, si ka ndryshuar ky qytet. E, ky lum që i ka përshkruar tashmë, është kthyer në një atraksion të madh publik. Unaza e re e qytetit, e cila kalon përbuzë lumit, do ta shndërrojë Beratin, në qytet pa ndotje, pa probleme që kanë të bëjnë me trafikun e rënduar të qytetit. Por po ashtu, edhe mali Partizan është një objektiv i ri, për t’u shndërruar në një atraksion të madh turistik. Rruga e Drobonikut, do të shënojë arritje të madhe për turizmin në Berat”, tha ndër të tjera, Klosi. Ndërhyrjet në lagjet muzele, Kala, Mangalem, Goricë, sistemimi i shtratit të Osumit, unaza e re e qytetit, parkimi i ri, rrugët hyrëse për në Berat, shndërrimi i sitit turistik të Dimalit në park arkeologjik, zhvillimi i disa pikave agroturistike të zonës, kantinave të verës e kombinuar me kulinarinë e mikpritjen beratase, do ta shndërrojnë shumë shpejt Qarkun në një destinacion të ofertës gjithëvjetore.