Me programe të akredituara dhe mundësi punësimi, administratori i UBT-së: Universiteti ka degë unike

27 Korrik 2020, 10:59

Me 17 programe studime, i rankuar si universiteti më i mirë publik, Universiteti Bujqësor i Tiranës është një garanci për maturantët të cilët do të mund të regjistrohen në fund të muajit Korrik.

Në një intervistë për Report Tv, administratori i UBT, Edmond Terthorja ka listuar arsyet pse maturantet duhet të zgjedhin degët e këtij universiteti.

"UBT është i përbërë nga 5 fakultete, duke filluar nga Veterinari që është unik në Shqipëri, kemi fakultetin e Ekonomisë Agrare për menaxhimin e fermave dhe ndërmarrjeve bujqësore, Bio-teknologji dhe fakultetin e Pyjeve", u shpreh Edmond Terthorja.

I pyetur për mundësitë që ofron ne treg pas studimeve, ai shprehet se profili qe ka ky universitet jep mjaft shanse për mundësi punësimi.

"E para teoria dhe praktika shumë të lidhur jemi të akredituar dhe kemi të akredituar të 17 programe dhe presim 20 të tjera këtë vit. Kemi garanci për kërkimin shkencor, dhe transferimin e teknologjive", tha ai më tej.

Rreth 200 studente çdo vit, shkëmbejnë eksperiencat e tyre me universitete jashtë vendit ndërkohe qe shume shpejt dy godina do të ndërtohen nga themelet të cilat do të plotësojnë këtë kampus universitar.

Sa i përket zgjedhjeve për drejtuesit e rinj që mbahen në fund të muajit, Terthorja shprehet se janë marrë masat për protokollin e sigurisë në Universitetin Bujqësor të Tiranës.