Ermira, nënë e tre fëmijëve dhe e divorcuar nga bashkëshorti ka treguar historinë e saj para kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj. E përlotur ajo tha se është arrestuar për trafikim të lëndëve narkotike, veprim i nxitur nga gjendja e vështirë ekonomike.
"Jam Ermira, jam arrestuar për trafikim të lëndëve narkotike. Më vjen shumë turp për tre fëmijët sepse i lashë vetëm në një kohë të vështirë. Gjendja ekonomike më detyroi ta bëja këtë sepse isha e ndarë. Kur më pyet djali i vogël mama kur do vish, dhe nuk kam një përgjigje. Të jesh këtu brenda është shumë e vështirë. Gjithçka mund të kalohet në jetë, por kufizimi i lirisë duhet ta provosh që ta kuptosh. Mbas kësaj asgjë nuk do më trembë për t'i bërë ballë jetës që mos t'i vijë zor për nënën e tyre", tha ajo mes lotësh.