Me shoqërues në tualet, distancë 2 m dhe maskë! Del udhëzimi për hapjen e shkollave

23 Gusht 2020, 14:01

TIRANE-Ministria e Shëndetësisë ka publikuar protokollin që përcakton rregullat për hapjen e shkollave që nisin në 31 gusht për ata që humbën mësimin online gjatë kohës së pandemisë dhe 14 shtator që nis viti i ri shkollor. Të gjithë nxënësit do të hyjnë në shkollë me radhë me një largësi 2 metra nga njëri tjetri. Nxënësve do u matet temperatura dhe nëse kanë simptoma të ngjashme apo temperaturë përpara ardhjes në shkollë, njoftohet mësuesi kujdestar, i cili, në bashkëpunim me mjekun e shkollës ose atë të familjes verifikon nëse nxënësi është i sëmurë apo jo.

Justifikimi i mungesave tani do të bëhet vetëm nga mjeku i familjes. Nxënësit duhet të jenë të gjithë të pajisur me maska me një përdorim ose mbrojtëse të fytyrës prej tekstili (maskë) të cilat duhet të lahen në 60 gradë dhe të hekurosen, si dhe shami letre për higjenën e hundëve. Pas hyrjes në shkollë, nxënësve nuk do u lejohet që të dalin më nga godina dhe të rikthehen përsëri në të, brenda ditës. Lejohet vetëm një hyrje dhe një dalje në ndërtesën e shkollës.Dera e shkollës do të qëndrojë e mbyllur, ndërsa dritaret e klasave ku zhvillohet procesi mësimor, do të qëndrojnë të hapura për të krijuar ajrosjen e nevojshme brenda tyre.  Ashtu si hyrja edhe dalja nga ambientet e shkollës do të bëhet sipas rregullave duke ruajtur distancimin social dhe fizik si me lart (jo më pak se 1.5 metra),nën mbikëqyrjen e mësuesve kujdestarë dhe të punonjësve të tjerë të shkollës. Drejtimi i vendosjes së fëmijëve vetëm në një kah apo një drejtim, njëri pas tjetrit. Nxënësit që nuk zbatojnë këtë rregullore, trajtohen me masë disiplinore nga Komisioni i Etikës dhe i Sjelljes.Ministria e Shëndetësisë u kërkon të gjithë mësuesve që të sigurohen që në klasë të gjithë të jenë të pajisur me maskë dhe t’i mbajnë rregullisht ato. Nxënësit ndalohen të dalin nga klasa gjatë orëve të mësimit përveç rasteve kur i duhet të përdorin tualetet. Në këtë rast nxënësi duhet të shoqërohet, por nuk specifikohet se cili do të jetë mbikëqyrësi. Kur është e mundur, praktikohet mësimi në ambient të hapur (oborr shkolle), duke respektuar largësinë dhe rregullat e mësipërme. Nuk lejohet ushqimi në klasë.