Me shpejtësi të lartë... pa rrip sigurimi, policia gjobit shoferët e pabindur

4 Mars 2021, 11:42

Policia ka ndëshkuar disa shoferë për shkelje të rregullave të qarkullimit.

Burime zyrtare nga policia bënë me dije se kontrollet gjatë ditës së djeshme janë përqendruar në qarkun Shkodër, ku nga Njësia Operacionale e Policisë Rrugore janë vendosur 93 masa për parakalime të gabuara, 28 masa për shpejtësi mbi normat e lejuara, 61 masa për mospërdorimin e rripit të sigurimit, 49 masa për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit dhe 11 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse.

Njoftimi i policisë:

Vijon zbatimi i masave të përcaktuara në planin operacional "ROADPOL MARS 2021”, për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Kontrollet në lëvizje po kryhen nga punonjësit e Policisë të Njësisë Operacionale të Drejtorisë së Policisë Rrugore, duke përdorur mjetet e pauniformuara, kamera të vendosura në automjete, radarë dhe mjete të tjera, si dhe nga punonjës që monitorojnë me kamera rruge, segmente kyçe të evidentuara si njolla të zeza për shkak të ngjarjeve rrugore me pasoja të ndodhura më parë. 

Patrullimi dhe monitorimi parandalues konsiston kryesisht në parakalimet e gabuara, shpejtësinë mbi normat e lejuara, për përdorimin e celularit nga drejtuesit e automjeteve gjatë drejtimit të mjetit, për mosvendosjen e rripit të sigurimit nga drejtuesit e mjeteve dhe të kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e motomjeteve, si dhe për drejtimin e mjetit nën efektin e alkoolit apo pa leje drejtimi.