Me syrin e nxirrë nga dollapi që i ra në kokë, zonja në Durrës dy netë në makinë: I kemi dyert hapur, na marrin ato cik gjëra

28 Nëntor 2019, 23:44 | Përditesimi i fundit: 2019-11-29 16:17:09

Në zonën e Spitallës në Durrës në lagjen 15 banorët e kanë të vështirë të sjellin edhe një herë përjetimet e tmerrit që kaluan në orët e para të mëngjesit të së martës, kur një tërmet 6.4 rihter me intensitet ndjeshmërie 8 ballë i goditi në gjumë. Shtëpitë e tyre kanë pësuar dëme të konsiderueshme, ku në një vilë tre katëshe njëri kat është fundosur, por fatmirësisht nuk janë shënuar viktima. 

Banorë të kësaj zone shprehen për mikrofonin e Report Tv se tashmë po flenë në makina nga frika se nëse qëndrojnë në banesë mund t'i zërë brenda si pasojë e pasgoditjeve sizmike që kanë pasuar tërmetin e së martës në 03:54. Fëmijët i kanë dërguar pranë të afërmve të tyre në qytete të tjera që nuk janë prekur nga tërmeti, ndërsa vetë kanë zgjedhur të bëjnë roje nate duke fjetur në makinë, nga frika se mund t'i vjedhin ato pak orendi që kanë në banesa.

Gazetarja e Report Tv, Xhensila Kodra, solli rrëfimet e të shpëtuarve nga tërmeti në emisionin "Pa Gjurmë", me moderatore Odeta Dumen.

Një zonë dhe një zotëri kanë dy netë rresht që gjumin e bëjnë në makinë. fëmijët i kanë çuar tek të afërmit e tyre, ndërsa nuk kanë ndërmend ta lënë vetëm shtëpinë nga frika e njerëzve që këto fatkeqësi i shfrytëzojnë për të vjedhur. Zonja ka pësuar dëmtime teksa ende i duket syri i nxirë nga dollapi që i ra sipër.

"Aman më mirë të mos e përjetoj atë. U ngrita në orën tre, mu plasën dollapi, xhamat, u bëmë copë, fëmijët i kemi nisur gjithandej, e rrimë këtu se kemi frikën e fëmijëve, mos u tregoftë kjo lemeri që kemi kaluar. Jemi vrarë nga gjërat që na u rrëzuan në shtëpi, nuk futemi dot se kemi frikë. ndodheshim në katin e dytë. Nuk hapeshin as dyer asgjë, kaluam tmerr, nuk e imagjinon dot. Të shikojmë çfarë do bëjmë, nuk lëvizim që këtu, ku të vemi, ku t'i lëmë shtëpitë. Nuk ikim, kemi nisur vetëm fëmijët e vegjël, i kemi dyert hapur, na marrin ato cik gjëra. Na tmerruan, na thanë do bie tërmet, nuk ikëm, këtu jemi", tha zonja për gazetaren Xhensila Kodra.

Ledion Harizaj jeton në një vilë tre katëshe në zonën e Spitallës, ku një kat është rrënuar. Ai tregon se si bashkë me gruan dhe fëmijët mundën të shpëtojnë pa dëmtime.

"Tërmet i paparë, kur mbaroi tërmeti hapëm derën, dolëm përjashta. tmerr i paparë ç'të të them, nuk e di as vetë. Isha në shtëpi në kat të tretë me gruan dhe fëmijët. Direkt sa u trondit ikën dritat. Natën e kemi kaluar në makinë, fëmijët i kemi dërguar në Ersekë. Kam marrë edhe plaçkat që kam brenda se kanë filluar edhe vjedhin. kam gati 11 vjet që e kam ndërtuar shtëpinë. po kam frikë të hyjmë në banesë. Nga tërmeti i parë nuk kishte fare probleme shtëpia, asnjë plasje. asnjë gjë. me këtë tërmet u rrëzua komplet", tregoi Ledion Harizaj.