'Media' rrëzon dekretin e Metës për paketën 'Anti-shpifje'! Gjonaj debate me Fatjona Dhimitrin

23 Janar 2020, 14:27

Pas shumë debatesh, Komisioni i Medias ka rrëzuar këtë të enjte dekretin e Presidentit Meta për kthimin në Kuvend për rishikim të Paketës Anti- Shpifje. I pranishëm në këtë komision ishte edhe këshilltari ligjor i presidentit Meta, Bledar Dervishaj, i cili u shpreh se disa dispozita të kësaj pakete bien në kundërshtim me parimet kushtetuese dhe mbrojtjen e të drejtës së lirisë së shprehjes.

Teksa ministrja Etilda Gjonaj rendiste sipas saj arsyet pse duhet të rrëzohet dekreti i Metës, kryetarja e Komisonit i tha se ajo po gënjen. Kjo e fundit i theksoi se KiE tha dje se nuk ishin marrë parasysh sugjerimet e saj për këto ligje. Në këtë moment ka reaguar edhe Gjonaj duke i thënë se nuk është në prokurori.

“I qëndrojmë argumentet tona për pasojat që tregu i parregulluar ka sjellë. I qëndrojmë kërkesës për rrëzim të dekretit të presidentit. Qëllimi i paketës anti-shpifje, vendosja e rregullave për të parandaluar cenimin e dinjitetit të njeriut, të drejtat e fëmijëve përmes një procesi të shpejtë administrativ dhe efikas. Një sërë vende si Gjermania apo Kroacia, kanë miratuar paketa më të ashpra anti-shpifje, duke njohur shpifjen si vepër penale. Ligji ka të bëjë me rregullimin e tregut të gazetarëve. Në përgatitjen e paketës kemi punuar me OSBE e Këshillin e Europës”, theksoi Gjonaj.