Mediu me shtabin elektoral: Rama ofendon shqiptarët si dembel dhe të paaftë

13 Prill 2021, 14:08

Fatmir Mediu ka zhvilluar një takim me shtabin e tij elektoral ku nuk ka kursyer akuzat për kryeministrin Edi Rama, për të cilin shprehet se është i vetmi që ç’bën vlerat dhe tradita e vendit tonë. Sipas tij Rama nuk ka në qendër të vëmendjes përmirësimin e ekonomisë shqiptare dhe dinjitetin e njerëzve, por i ofendon ata duke i cilësuar si dembelë dhe të paaftë dhe për këtë do të sjellë punëtorë nga Bangladeshi. Mediu tha se Rama kërkon largimin e njerëzve  dhe jo zhvillimin e vendit për t’i mbajtur ato këtu.

“Dua t`ju falënderoj sinqerisht sepse familja republikane është familja e njerëzve të mirë dhe dua që gjithësecili nga ju të jetë krenar. Edi Rama ka ardhur tek ajo pikë që nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë tonë kombëtare, do të ç’bëjë edhe vendin tonë dhe vlerat, traditën dhe çdo gjë që ka qenë e vlefshme dhe e pacenueshme nga ndonjë politikan, qeveri apo forcë politike. Edi Rama thotë që shqiptarët janë dembelë, shqiptarët nuk dinë, janë të paaftë, prandaj duhet të marrim punëtorë nga Bangladeshi, nga Pakistani, nga India, që të vejë në lëvizje ekonominë shqiptare, sipas Edi Ramës.  Edi Rama pas kësaj fsheh një qëllim tjetër, sepse Edi Rama e di që gjithësecili nga ju nuk e ka mendjen vetëm të hajë, të pijë dhe të flejë gjumë, por beson tek dinjiteti, beson tek liria dhe nëpërmjet lirisë të krijojë mundësi për të ecur në rrugën e vet, duke u përballur me të keqen. Prandaj Edi Rama do që shqiptarët të largohen nga Shqipëria.