Mediu takim me të rinjtë në Don Bosko: Bëhuni uragani që sjell ndryshimin dhe shkatërron të keqen

28 Mars 2021, 10:04 | Përditesimi i fundit: 2021-03-28 10:30:15

Kreu i PR-së dhe i shtati në listën e koalicionit PD-AN në Tiranë, Fatmir Mediu, zhvilloi sot një takim me të rinjtë në Don Bosko në Tiranë.

Mediu shprehu shqetësim në lidhje me largimin e të rinjve nga vendi, ndërsa i konsideroi ata si katalizator të ndryshimit.

Ai akuzoi qeverinë se i ka 'vjedhur' të rinjve ëndrrat, ndërsa tha se ata nuk duhet të lejojnë një njeri të vetëm që t'i shkatërrojë të ardhmen.

 “Në pesë të rinj, tre nga ata janë të pa punë. Gjatë pandemisë kjo papunësi u shtua dhe me 20%. Mbi 70% e të rinjve duan të largohen nga Shqipëria. Mbi 90% e atyre që kanë studiuar jashtë dhe studiojnë jashtë, me mundin dhe djersën e prindërve të tyre, nuk duan të kthehen në Shqipëri. Mbi 500 mijë shqiptarë janë larguar, pjesa më e madhe të rinj dhe të reja, intelektualë, profesionistë, duke krijuar kështu një problem shumë të madh në vendin tonë, për familjet tona, një problem të madh sa social, por edhe ekonomik dhe politik”, tha Mediu.

Ai u shpreh se ka gjithmonë shpresë kur ka rini kaq potenciale dhe energjike.

“Ne kemi shumë për të bërë dhe ajo që është shumë e rëndësishme, po e filloj nga mundësia për arsim dhe edukim që duhet të ketë brezi i ri. Prandaj për të gjykuar në datën 25 Prill se si duhet votuar, do t`ju lutesha ju të rinjve, por dhe ne të tjerët, të gjykojmë me njëri-tjetrin në familje”, shtoi Mediu.

Sipas tij,  rininë nuk mund ta ndalë asgjë për ta sjellë ndryshimin.

“Jetën, lirinë dhe dinjitetin jua ka falur Zoti dhe mos i lini peng as të Edi Ramës dhe as të ndonjë politikani tjetër. Atë çka jua ka dhënë Zoti mbajeni fort, zhvillojeni sepse jeni njerëz që i keni të gjitha dhuntitë dhe duhet të keni dinjitetin për t`i  çuar gjërat përpara dhe për të dhënë zgjidhjet e duhura”, përfundoi kreu i PR.