Megaoperacioni/ Nano jep detaje nga operacioni: Janë sekuestruar kallashnikovë, pistoleta, antiplumb, fatura bankare, makina dhe para

19 Maj 2022, 13:49

Drejtori i Përgjithshëm i policisë së Shtetit, Gledis Nano ka bërë me dije se janë ekekutuar 18 urdhërarreste nga 32 në total. Nga sa mësohet nga ky operacion, sekuestruar 3 armë zjarri (konkretisht 2 kallashnikovë dhe 1 pistoletë), 2 antiplumb si ato që përdor Policia e Shtetit, municion luftarak, rreth 17 mijë euro, aparate celulare, fatura bankare, automjete dhe sende të tjera të përfituara nga veprimtaria kriminale.  

"Operacioni i koduar “Golden bullet”, që është në vijim, ka nisur menjëherë pas arrestimit të shumë të kërkuarit Nuredin Dumani, i cili u arrestua gjatë operacionit policor të koduar “Arratia”, që u zhvillua nga strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan.   

Pas veprimeve intensive hetimore të kryera nga strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me SPAK-un dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, si dhe në bazë të  informacioneve të mara nga burime të ndryshme, u krijuan dyshimet e arsyeshme për përfshirjen e shumë personave të tjerë, në veprimtari kriminale kundër personit dhe në fushën e krimit të organizuar. 

Menjëherë pas nxjerrjes së urdhër arresteve për 32 persona dhe urdhrave për kryerjen e kontrolleve në 28 banesa, të lëshuara nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Policia e Shtetit organizoi operacionin policor të koduar “Golden bullet”, për ekzekutimin e masave të sigurisë “Arrest në burg”.  Operacioni u shtri në disa qarqe, në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Lezhë. Në operacion u përfshinë forcat speciale RENEA, FNSH, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtoria Kundër Krimeve ndaj Personit e Pasurisë, Drejtoria Hetimore, si dhe Drejtoritë Vendore të qarqeve që përmenda. 

Ky operacion u drejtua nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Deri tani janë ekzekutuar gjithsej 18 masa sigurie, nga këto 9 persona u kapën gjatë operacionit, ndërsa për 9 të tjerët, masat e sigurisë u ekzekutuan në disa IEVP, sepse këta shtetas janë arrestuar më parë, për vepra të ndryshme penale. Gjatë operacionit, si rezultat i kontrollit të banesave dhe hoteleve janë sekuestruar 3 armë zjarri (konkretisht 2 kallashnikovë dhe 1 pistoletë), 2 antiplumb si ato që përdor Policia e Shtetit, municion luftarak, rreth 17 mijë euro, aparate celulare, fatura bankare, automjete dhe sende të tjera të përfituara nga veprimtaria kriminale.  

Operacioni “Golden bullet” është tregues i bashkëpunimit të shkëlqyer mes Policisë së Shtetit, SPAK-ut dhe Prokurorive të Rretheve Gjyqësore, konkretisht asaj të Elbasanit, si dhe të  profesionalizmit të këtyre strukturave, në hetimin e thelluar që çoi në identifikimin dhe dokumentimin e veprimtarisë kriminale të këtyre personave dhe grupeve kriminale. Operacioni është në vijim dhe dua të garantoj qytetarët se strukturat e Policisë së Shtetit nuk do të ndalojnë asnjë moment operacionet, deri në kapjen e të gjithë personave të kërkuar që janë të përfshirë në veprimtari kriminale.   Gjithashtu, shpreh vendosmërinë e Policisë së Shtetit për të bashkëpunuar ngushtësisht me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit dhe me homologët tanë, me qëllim lokalizmin, kapjen dhe çuarjen përpara drejtësisë, të këtyre personave, që mund të strehohen jashtë vendit. Njëkohësisht, mbetem i vendosur për të pastruar nga radhët e Policisë së Shtetit ata punonjës policie që shpërdorojnë detyrën apo më keq akoma bëhen palë me krimin, si dhe inkurajoj agjencitë ligjzbatuese që të hetojnë çdo rast të përfshirjes së punonjësve të Policisë, në veprimtari të kundërligjshme. Ftoj qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit, që bashkërisht të parandalojmë, të evidentojmë dhe të godasim paligjshmërinë, krimin në përgjithësi dhe atë të organizuar në veçanti,  me qëllim krijimin e një ambienti shumë më të sigurt për qytetarët dhe aspak të sigurt për shkelësit e ligjit", tha Nano.