'Mema duhet të flasë për largimin nga Tirana', Kola: Nuk fitohet titulli s'e ke 100 vjetorin

31 Tetor 2019, 18:29

Julian Ahmataj e nisi me fitore aventurën në krye të Tiranës, duke bërë përshtypje edhe në lojë. Por shkarkimi i trajnerit Mema bëri jo pak bujë dhe për një legjendë të klubit si Agustin Kola duket jo normale.

“Më vjen keq për diçka, se e shoh në përgjithësi në futbollin shqiptar. Trajnerët kur janë në pozita pune me ekipet thonë se presidenti na i ka plotësuar të gjitha, shkojmë mirë e të tjera e të tjera. Por kur ikin nga ekipi atëherë duhet të flasin më tepër. Ai arriti ta shpëtonte nga rënia e kategorisë, tani duhet të flasë vetë për këtë largim.”

I pyetur për emërimin e Julian Ahamataj dhe fitoren 0-3 në ndeshjen debutuese kundër Luftëtarit Kola përgjigjet:

“Nuk mund të themi tani erdhi trajneri i ri, fituam 3-0 dhe morëm veten. Gjithsesi Ahmataj pak stërvitje ka kryer me ekipin, por ai trajner deri më tani ka qenë me akademinë e Tiranës. Pra e di ecurinë e ekipit gjatë këtij viti, e njeh situatën.”

Një nga arsyet përse Tirana synon këtë sezon titullin kampion është për 100 vjetorin e klubit. Për këtë çështje Kola shprehet:

“Tirana është një ekip I vjetër, me tradita dhe ka 100 vjetorin. Por ky fakt nuk do të thoë se do të marësh patjetër kampionatin. Shpresoj ta arrij gjithsesi, por ajo që pres unë është që Tirana të jetë në rritje.”

Aktualisht Tirana renditet në vendin e tretë me 17 pikë, 1 më pak se Partizani kryesues, ndërsa ndeshja e ardhshme do të jetë të shtunën në transfertë kundër teutës.