Memaliaj/ Babai në burg, 4 fëmijët e Gjolek Durajt braktisin shkollën!Djali i madh i familjes punon për të siguruar jetesën

16 Shtator 2019, 22:54

TIRANË- Jo të gjitha familjet e kanë pritur me lule dhe emocione nisjen e vitit të ri shkollor. Në familjen e Gjolek Duraj në fshatin Martalloz në Bashkinë Memaliaj mëngjesi i së hënës nis me lot. Nëna nuk i nisi dot 4 fëmijët e saj për në shkollë dhe gjyshja nuk u dha dot urimin për një vit të mbarë. Të dyja zonjat e shtëpisë, derdhën lot në vend të gëzimit që fëmijët ndryshe nga të tjerët   nuk shkuan në shkollë.

Sokrat Duraj është djali më i madh i shtëpisë dhe ai sot kujdeset për dy motrat, vëllain më të vogël, për gjyshen dhe të ëmën. Rënia në burg e të atit, e ka burrëruar para kohe Sokratin 17 vjecar, për të marrë përsipër barrën e sigurimit të bukës së përditshme. I detyruar nga problemet ekonomike, ai e braktisi shkollën e bashkë me të edhe tre fëmijët e tjerë të familjes.

Ndërkohë që me lot në sy gjyshja dhe kryefamiljarja, apelojnë tek autoritetet për vëmendje karshi tyre.

Është kjo drama që përjeton përditë familja Duro në Martalloz në ditët e sotme në një zonë të njohur deri tre vjet më parë për kultivim kanabisi.