Merkaj: Fenomeni i braktisjes së fëmijëve në rritje! Shtohen kontrollet në kufi

19 Janar 2020, 10:02 | Përditesimi i fundit: 2020-01-19 13:31:12

TIRANË - Fenomeni i braktisjes së fëmijëve shqiptarë në vendet e Bashkimit Evropian, është kthyer në shqetësim për autoritetet nga përmasat në rritje që po merr, nga prindër që ikin familjarisht dhe kthehen vetëm! Drejtor i Kufirit dhe Migracionit, Eduart Merkaj për Report Tv, thotë se për 2019-ën janë 41 prindër që janë përballur me drejtësinë për “Braktisje të femijëve të mitur", nga 27 që kanë qenë në vitin 2018. Por kjo shifër e referimeve në prokurori, në fakt, mund të mos tregojë realitetin e fëmijëve të braktisur. Numri i tyre mund të jetë shumë më i lartë, për vetë përfitimet që ata marrin nëse gjenden në vendet e BE-së si të mitur të braktisur nga prindërit, ku shtetet më të 'preferuara' mbeten Italia dhe Franca. Shërbimet sociale në vendet e BE-së, i marrin në mbrojtje fëmijët nën moshën 18 vjeç dhe u ofrojnë strehim e shkollim. Ndërkohë që në Shqipëri, prindërit e kthyer të vetëm rrezikojnë burgun! Braktisja e fëmijëve nën moshën 16 vjeç përbën vepër penale dhe dënohet me gjobë deri në 3 vite burg.

 “Kemi pasur një numër relativisht pak në rritje në krahasim me 2018, 41 raste, kanë qenë raste të cilat prindër të ndryshëm janë referuar nga Policia e Shtetit në prokurori dhe në institucionet e prokurorisë përsa i përket veprës penale të “Braktisjes së të miturve”, e cila është një nen në kodin penal. Kanë kaluar kufirin duke plotësuar dokumentacionin e duhur, por në momentin që kanë shkuar në një vend të Europës ose në një vend të Shengenit atje pastaj kanë lënë fëmijët në qendrat e ndryshme të trajtimit që ka në vendet të ndryshme të Europës dhe kur janë kthyer, janë kthyer vetëm. Pas intervistimit të punonjësve të policisë së kufirit ka rezultuar që shumë nga këta shtetas, kanë deklaruar që i kanë lënë për arsye të ndryshme në këto qendra në vendet respektive”, - u shpreh drejtori i Kufirit dhe Migracionit, Eduart Merkaj.