Merr fund rraskapitja 5 ditore në Kakavijë, as edhe një person në radhë! Në fuqi rregullat e reja

17 Gusht 2020, 11:07 | Përditesimi i fundit: 2020-08-17 11:15:49

As edhe një makinë nuk ishte më në radhë në pikën kufitare të Kakavijës në minutat e para të ditës së hënë, duke i dhënë fund kështu radhëve kilometrike të krijuara prej ditësh në kufirin me Greqinë.

Ishte ora 00:40 e ditës së hënë kur më në fund të gjithë personat dhe makinat që qëndronin në radhë kaluan në shtetin grek. Kjo falë një marrëveshje të arritur mes autoriteteve shqiptare dhe shtetit fqinj, që punoi me kapacitet të plotë në sportelet në kufi.

Saktësisht ditën e dielë kaluan nga Kakavija 3325 shtetas dhe 1629 mjete.

Ndërkohë duke filluar nga sot do të hyjnë në fuqi rregullat e reja për të kaluar në Greqi. Përveç testit të koronavirusit, që duhet të jetë kryer 72 orët e fundit, në kufi do të kërkohet aplikimi për të kaluar, do të ketë një numër të limituar personash dhe të gjithë ata që do të kalojnë do të duhet të karantinohen.

Këto masa kanë hyrë në fuqi nga ora 06:00 e mëngjesit të ditës së sotme, ndërsa në pikat kufitare me Greqinë do të punohet deri në orën 22:00. Në pikën kufitare të Kakavijës do të kalojnë jo më shumë se 750 persona, ndërsa në Kapshticë jo më shumë se 300 persona.