Mes Gjinos, plehrës së çmendur dhe gangsterit…

2 Prill 2021, 14:46 | Përditesimi i fundit: 2021-04-02 14:46:46

Ka pasur një shqetësim të madh mbrëmjen e së enjtes nga disa gazetarë rreth retorikës së Kryeministrit këtë fushatë. Edi Rama është kryqëzuar në panelin e ‘Open’ për faktin se ai përdor ironinë dhe sarkazmën karshi kundërshtarit politik. Shqetësimi i të pranishëmve erdhi pasi kreu i PS e ka cilësuar Lulzim Bashën si dhëndrin Gjino, i cili udhëheq opozitën me kërkesë të shkesëve Berisha, Meta dhe Krymadhi.

Paralelisht me këtë ‘problem’ të ngritur nga gazetarët përballë Edi Ramës, rivali i tij ankohej te Blendi Fevziu se ndihej i dhunuar nga retorika e kryeministrit. Siç tha Basha, atij po i monitorojnë edhe orarin e gjumit, duke u shprehur kështu i fyer për ‘talljet’ e kryesocialistit.

Në një studio të tretë ndërkohë, Ilir Meta vijonte fjalimet e tij të njohura prej vitesh. Kreu i shtetit nuk i kurseu as këtë herë akuzat më të rënda të mundshme ndaj ambasadorëve duke i cilësuar si horra në krye të të cilëve qëndron krye-gangsteri Edi Rama.

Sa i përket rastit të djeshëm të presidentit, këto deklarata nuk janë asgjë më tepër sesa përsëritje e asaj se si e njeh tashmë populli Ilir Metën. Pra një përforcim i mozaikut që Presidenti ka krijuar për veten e tij në raport me të tjerët, për të dhënë idenë se është i fortë dhe shantazhues, pavarësisht se drejton një zyrë me 10 vetë staf.