Mësimi i alternuar, Malaj: Duhet mbyllur shkolla deri në klasën e 9-të! Shteti të sigurojë studentët me mjetet për studimin online

1 Dhjetor 2020, 14:00

Pedagogia Nora Malaj ka kritikuar skemën për zhvillimin e mësimit të alternuar në vend. Në një intervistë për Report Tv, ajo thotë se kjo skemë e vendosur nuk jep garanci të plotë për zhvillimin e këtij procesi.

Ajo tha se një zgjidhje shumë e mirë në këtë situatë do të ishte mbyllja e shkollave për sistemin parauniversitar deri në në klasën e 9-të, një vendim që mund të ishte në fuqi deri në fund të vitit.

"Do doja që me arsimin të mos bëja politikë, ajo është një e mirë publike. Por janë ca të vërteta kokëforta edhe kur na dhembin për të garantuar jetën e fëmijëve dhe mësuesve. Kemi nevojë që të mos regjistrojmë humbje jete nga asnjë prej tyre. COVID nuk po kursen asnjë moshë. Të bësh një orë mësimi, nuk mundet që për kategoritë e fëmijëve tua ndërrosh metodologjinë e mësimdhënies, 1 javë po dhe 1 jo ose me ditët teke dhe çifte. Në thelbin e saj nuk të jep asnjë garanci të plotë për këtë proces. Në fillim të vitit akademik unë kam thënë që të alternohej mësimi fizik dhe online. Kam qenë që për mësimin fizik të qëndrojnë fëmijët e vegjël, të gjithë ata që për herë të parë njiheshin me mjedisin, mësuesin dhe shokët e tyre.

Kuptuam që mbajtja e distancimit social ishte thuajse i pamundur, jemi dëshmitar që shumë shkolla nuk garantojnë siguri. Kemi një moment shumë të rëndësishëm ku pjesa më e madhe e mësuesve janë infektuar nga koronavirusi. Për situatën aktuale do isha që për mësimin parauniversitar deri në klasë të 9-të të mbyllej ky muaj. Nuk humbisnin asgjë. Për ata që janë më të rritur të zhvillonin online por kushtet janë të vështira për ta realizuar. Kjo nuk do krijonte asnjë lloj problemi dhe Ministria e Arsimit të kishte kapacitetin të bënte grumbullimin e orëve të dedikuara për ta realizuar. Kjo do të rriste garancinë për të gjithë fëmijët dhe mësuesit" - tha Malaj.