Mësonin në kushte të mjeruara, Bankers Petroleum Albania rikonstrukton shkollën për 120 fëmijë në Fier

24 Tetor 2019, 19:11

FIER- Rreth 120 nxënës të shkollës Sotir Kola në Patos janë ulur këtë fillim viti shkollor në bankat e një ambienti të ristrukturuar dhe bashkëkohor. Shkolla 9-vjeçare e Belinës ka pësuar një ndryshim rrënjësor falë investimit të Bankers Petroleum Albania.

Transformimi i saj ka ardhur si pasojë e një investimit të përbashkët të kompanisë Bankers Petroleum Albania dhe Bashkisë së Patosit në vlerë totale prej 80 mijë dollarësh. Punimet në mjediset e saj kishin nisur që në muajin Prill dhe përfunduar fiks në kohë për fillimin e vitit të ri shkollor.

Në fund të vitit mësimor 2018-2019 u konstatua nga inxhinierët e Bashkisë Patos se shkolla kishte nevojë për rikonstruksion. Thirrjes për të investuar në rikonstruksionin e shkollës sonë iu përgjigj kompania që operon në zonën tonë Bankers Petroleum Albania", u shpreh Eriselda Lugaj, Drejtore e Shkollës 9-Vjeçare, Sotir Kola, Belinë.

Zonja Lugaj theksoi se ky është një lajm i mirë për 120 nxënësit e kësaj shkolle në të cilën prej vitesh nuk ishte bërë asnjë ndryshim. Ajo tha se investimi ka prekur klasat ekzistuese , shkallët, nyjet higjenore, banjot, një rikonstruktim të çatisë dhe izolim të ndërtesës për ruajtjen e temperaturës së brendshme, duke ulur shpenzimet për ngrohje. 

Bankers Petroleum Albania ka investuar mbi 7 milionë dollarë në projektet që lidhen drejtpërdrejtë me nevojat e komunitetit. Kjo kompani mbetet vazhdimisht në gatishmëri për të përmirësuar cilësinë e jetës së komuniteteve  rreth zonës së Patos-Marinzës në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe atë lokal.