Messi përjetë te Barcelona, gati rinovimi i kontratës

5 Qershor, 14:25

Për disa javë me radhë tifozët e Interit të shtyrë edhe nga fjalët e Massimo Moratti-t kanë ëndërruar që të shohin në Milano me fanellën zikaltër yllin argjentinas Leo Messi. Por kapiteni blaugrana do të vijojë të vishet me ngjyrat blaugrana. Ashtu siç bën me dije spanjollja “Cope” javën që vjen do të nisin edhe takimet e para mes Barcelonës dhe menaxherit të argjentinasit për të diskutuar rinovimin e kontratës.

Babai i futbollistit Jorge Messi dhe presidenti i Barcelonës Bartomeu do të takohen javën që vjen për të filluar diskutimet për të vënë më pas firmën në kontratën e re pasi ajo aktualja Leos i përfundon në vitin 2021. Po ashtu gazeta spanjolle zbulon edhe se klauzola që i lejonte argjentinasit që ta prishte marrëveshjen ende nuk ka skaduar por është e vlefshme deri më 10 qershor.

Gjithsesi Messi nuk ka ndërmend ta përdorë këtë klauzolë pasi ashtu siç edhe vetë e ka konfirmuar është i lumtur në klubin dhe qytetin ku ka fituar plot 6 herë Topin e Artë. Me afërsisht 33 vitet që ka mbi shpinë Leo Messi ky që pritet të firmoset në të ardhmen mund të jetë edhe rinovimi i fundit i karrierës që do të thotë se Leo Messi do të mbetet përjetë tek Barcelona.Ndërkaq kapiteni kur duhen edhe 8 ditë nga rifillimi i kampionatit spanjoll dhe ndeshja me Mallorca-n vijon të ketë probleme për shkak dëmtimi dhe është stërvitur sot vetëm në palestër.

Pergatiti: Andi Kapxhiu

Kategori të tjera