TIRANE-Presidenti Ilir Meta në aktivitetin për Ditën e 53-të Botërore të Paqes u shpreh se politika shqiptare ka nevojë për një dialog të vërtetë për të kaluar krizën, pa përjashtime dhe manipulime. Në fjalën e tij, duke 'thumbuar' kryeministrin Edi Rama, kreu i shtetit iu rikthye edhe njëherë debatit për ndryshimin e kufijve në Ballkan, mes Kosovës dhe Serbisë që ishte mjaft i fortë në muajt e verës së vitit të kaluar.
"Paqja nuk izolohet nga kufijtë. Ndaj duhet të jemi të përgjegjshëm dhe të matur për ta ruajtur atë edhe në rajonin tonë, që i ka ende të freskëta plagët e gjenocidit dhe konflikteve etnike e fetare. E rëndësishme është të kuptojmë se e ardhmja është vetëm bashkëjetesa. Nuk mund të luhet me kufijtë në Ballkan dhe kudo tjetër, si përpara një fletoreje vizatimi. Të punojmë të gjithë, jo për ndryshim të kufijve, por për heqje të tyre, për partneritet të plotë, në pozita të barabarta, me një angazhim të përbashkët për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, sa më shpejt të jetë e mundur" tha Meta.