Meta çoi në 'Venecia' ndryshimet në Kodin Zgjedhor me kërkesë të Bashës/ Bardhi: Akt i pjekur

23 Tetor 2020, 15:49

Akt i pjekur e ka quajtur sekretari i PD-së, Gazment Bardhi dërgimin në Venecia të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.

"Opozita e Bashkuar përshëndet aktin e Presidentit për kthimin për rishqyrtim Kuvendit të Shqipërisë për Kodin Zgjedhor dhe kërkimin e marrjes së Opinionit urgjent nga Komisioni i Venecias. E vlerësojmë si hap dhe mundësi e rëndësishme, në drejtim të rikthimit të paqes publike dhe klimës zgjedhore në vend. Miratimi i Kodit Zgjedhor, si produkt i marrëveshjes së 14 janarit dhe konkluduar me marrëveshjen e 5 qershorit, ishte një arritje madhore e klasës politike në vend, mbështetur fuqimisht nga faktori ndërkombëtar.

Në vetvete ajo marrëveshje dhe miratimi i Kodit Zgjedhor në 30 korrik, shtroi baza të mira për krijimin e kushteve të pranueshme ligjore për zhvillimin e zgjedhjeve të 25 prillit. Paqja publike dhe pranueshmëria e klimës parazgjedhore janë premisë themelore për një proces zgjedhor të gjithë pranuar. Ndërhyrja e njëanshme dhe brutale në Kushtetutë, e pasuar nga deformime të rënda ligjore që mbartin ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor, bien ndesh hapur me marrëveshjen e 5 qershorit dhe tekstin e sapo miratuar të Kodit Zgjedhor.

Një akt i tillë, i ndërmarrë nga ana e mazhorancës së kapluar nga paniku i humbjes zgjedhore, përveçse minon klimën parazgjedhore, synon qartazi deformimin e rezultatit zgjedhor në tavolinë. Ky akt, i realizuar jashtë Tryezës së Këshillit Politik, mbetet një shkelje e flagrante e marrëveshjes së 5 qershorit. Akte te tilla, të marra në verbëri politike, komprometojnë rëndë interesin publik dhe, mbi të gjitha, rrugën integruese të Shqipërisë.