Meta dekreton Marsida Xhaferllarin, fut në ngërç Gjykatën Kushtetuese

13 Nëntor 2019, 18:18

TIRANE- Presidenti Ilir Meta ka dekretuar ditën e sotme Marsida Xhaferllarin anëtare të Gjykatës Kushtetuese duke e futur në ngërç krijimin dhe ngritjen e këtij institucioni. Kreu i shtetit me vendimin e sotëm ka dekretuar gjyqtaren e dytë për të njëjtin vend që ishte vakant. KED-ja i dërgoi Presidentit dy lista me emra për të zgjedhur dy anëtarë të Kushtetueses. E ndërsa në listën e parë Ilir Meta zgjodhi Besnik Muçin, për emrin e dytë kërkoi më shumë kohë, jashtë afatit 30 ditë, pasi argumentoi se më parë duhet të zgjidhte parlamenti anëtarin e radhës. Por në datë 6 Nëntor, afati përfundoi dhe sipas përcaktimeve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi duke qenë se Meta nuk e ushtroi të drejtën për të zgjedhur, automatikisht kandidati i parë që ishte në listë, pra që ishte Arta Vorpsi u zgjodh dhe vendimi u botua Fletoren Zyrtare. Por kreu i shtetit nuk e njeh Arta Vorpsin dhe sot vendosi që të dekretonte emrin e Marsida Xhaferllarit, por vendimi është jashtë afateve ligjore që është përcaktuar, pra 30 ditë. Tani mbetet për t'u parë nëse dekreti do të botohet në Fletoren Zyrtare. 

Por kush është Marsida Xhaferllari që Meta dekretoi sot? Ajo ishte renditur e fundit me pikë në listën që KED i kishte dërguar Presidentit Ilir Meta, për në Gjykatën Kushtetuese. Për ish-kryeinspektoren pranë Inspektoratit të ish-KLD që është dekretuar për anëtare të Gjykatës Kushtetuese vettingu në 11 mars të këtij viti nuk doli me një vendim. Komisioni i vettingut nuk e njohu si magjistrate kryeinspektoren e ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë Marsida dhe vendosi që ndaj saj të mos dalë me një vendim për ta shkarkuar apo konfirmuar në detyrë, por Xhaferrllari e apeloi vendimin. Marsida Xhaferllari, e ka nisur karrierën si gjyqtare e Fierit e më pas në administratën e Ministrisë së Drejtësisë dhe në fund në KLD. Me vendimin e fundit të kreut të shtetit, Gjykata Kushtetuese mbetet me pesë anëtarë, ndërkohë që për të nisur punën duhen gjashtë. Anëtarët që janë zgjedhur deri tani; Vitore Tusha, e vetmja që kaloi vettingun dhe të zgjedhurit e rinj, Besnik Muçi (i dekretuar nga Presidenti, por ende se ka kaluar vettingun), Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji u votuan nga Kuvendi dhe anëtari i pestë që duhet të ndahet mes Arta Vorpsit që u zgjodh automatikisht se Meta nuk e ushtroi të drejtën për të zgjedhur dhe Marsida Xhaferllari që Presidenti e dekretoi sot.