Meta dekreton ndryshimet në Kodin Penal për COVID-19: I mbështes, të plotësohet kuadri ligjor dhe të informohen qytetarët

22 Prill 2020, 15:42

TIRANE-Presidenti Ilir Meta ka dekretuar ndryshimet në Kodin Penal që u miratuan të enjten për COVID-19 dhe për dhunën në familje. Mesditën e sotme kreu i shtetit e njoftoi vendimin përmes një konference për mediat, ku u shpreh se ndryshimet në Kodin Penal për COVID-19 ishin të nevojshme për shkak se nuk dihet sa do të zgjasë pandemia, ndërsa kishim boshllëk ligjor. Por Presidenti kishte disa kërkesa për institucionet.

Ai u shpreh se është e domosdoshme që përpara hyrjes në fuqi të këtyre dispozitave të reja në Kodin Penal, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Komiteti i Ekspertëve dhe Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile, duhet të vlerësojnë plotësimin e kuadrit ligjor apo nënligjor që lidhet drejtpërdrejtë me aplikimin e legjislacionit penal, si dhe përcaktimin e qartë dhe shterues të listës së sëmundjeve infektive të rrezikshme, që lidhen me zbatimin e masave të jashtëzakonshme, procedimin administrativ apo penal.