Meta firmos dekretet: Shkarkohet Bushati, Rama ministër i Jashtëm

18 Janar 2019, 14:50

TIRANE-Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dekretuar ditën e sotme kryeministrin Edi Rama edhe në postin e Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, pas shkarkimit të Ditmir Bushatit, që ka mbajtur këtë detyrë deri tani. Debatit të krijuar në ditët e fundit nëse e lejon Kushtetuta, që kryeministri të mbajë edhe postin e ministrit, kreu i shtetit i përgjigjet duke sqaruar se ‘është një rast i veçantë, që nuk parashikohet dhe as ndalohet nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë’.

Në njoftimin e shpërndarë për mediat, zyra e shtypit të Presidentit thekson se dekreti është firmosur nga Meta ‘duke mbajtur në konsideratë edhe rëndësinë e evitimit të çdo mundësie për krijimin e një krize institucionale, e cila do të dëmtonte pozitën e Republikës së Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare’. Megjithatë kreu i shtetit thekson se ‘ushtrimi i detyrës së Ministrit nga Kryeministri është njëveprimtari shtetërore që shtrihet brenda sferës ekzekutive pjesë e kabinetit qeveritar, struktura e të cilit është në të drejtën e Kryeministrit për t’u propozuar’.

Me dekretin e sotëm merr fund, të paktën për momentin përplasja institucionale mes Presidencës dhe qeverisë, e cila nisi pas refuzimit që Meta i bëri emrit të Gent Cakajt në postin e ministrit të Jashtëm. Kryeministri ka paralajmëruar se çështjen nëse Presidenti ka të drejtë që të kthejë dekretet do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese. Tashmë pritet që në seancën e radhës, që është në datë 21 janar të firmosen dekretet e shkarkimit të Bushatit dhe të emërimit të kryeministrit Edi Rama edhe në postin e kryediplomatit të Shqipërisë.

    No videos found.